Prishtinë, mbahet konferenca ndërkombëtare “PISA 2018”

Mos i humb

Në organizimin të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të Kosovës dhe në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) sot në Prishtinë u organiza konferenca ndërkombëtare për “PISA 2018” me temën “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”.

Konferenca ka për qëllim prezantimin e sfidave dhe mësimeve të nxjerra nga “PISA 2015”, shkëmbimin e përvojave me përfaqësues të shteteve të tjera evropiane dhe rajonale pjesëmarrëse në PISA, si dhe rritjen e vetëdijësimit të nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe të gjitha palëve me interes për PISA-n.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve “PISA 2018″. Gjatë fjalimit të tij kryeministri Haradinaj foli për sfida të ndryshme në fushën e arsimit të Kosovës, si seleksionimi i mësimdhënësve, programet jocilësore parashkollore, jo-koordinimi në mes institucioneve si dhe politizimi i shkollave.

“Kemi problem me monitorim. Shkollat tona në të gjitha nivelet janë shumë pak të inspektuara. Ose është inspektim jopërmbajtësor. Kemi probleme në vlerësim të njohurive. Vetvetiu kur bëhet vlerësimi, kur jepen vlerësimet në nota, standardet, kriteret e përdorura kanë vërtetuar që nuk mjaftojnë për epilog, kur ai fëmijë përballet me pjesën tjetër të jetës del jo i plotësuar dhe jo i formuar në dije”, tha Haradinaj.

Ndërsa ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi tha se kjo konferencë shënon një hap më tutje drejt një rrugëtimi shumëvjeçar për të mundësuar një arsim sa më cilësor për fëmijët kosovarë.

“Konferenca e sotme është një ngjarje shumë e rëndësishme për sistemin e arsimit në Kosovë, sepse ajo e trajton një nga çështjet thelbësore, na lejon që të shikojmë prapa dhe të analizojmë testin ‘PISA 2015’, si dhe të shikojmë përpara në planifikimin dhe hapat e ardhshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit në mënyrë që në performancën tonë të ardhshme të jemi shumë më mirë se sa që jemi aktualisht”, tha ai.

Zv/ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini gjatë fjalimit të saj tha se “Testi PISA është njëri nga testet kryesorë për t’i matur arritjet dhe tani e dimë ku jemi edhe në raport me shtetet e tjera në rajon, edhe në raport me shtetet tjera në botë që marrin pjesë në këtë test, por edhe në raport me vetveten”.

“Republika e Shqipërisë ka marrë pjesë në testin PISA disa vite me radhë. Përderisa ka përmirësime prap nuk jemi aty ku dëshirojmë. Rreth 50 për qind e 15 vjeçarëve në Shqipëri, sipas testit PISA konsiderohen analfabetë funksionalë”, tha Shahini.

Kujtojmë se në vitin 2015 Kosova mori pjesë për herë të parë në Programin e Vlerësimit Ndërkombëtar “PISA”, ku nga 72 vendet pjesëmarrëse u radhit ndër tre vendet më të dobëta./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit