Prishtinë, mbahet moduli i dytë për autizmin me ligjërues ekspertë nga Turqia

Mos i humb

Në Prishtinë zhvillohet moduli i dytë i seminareve dyditore të organizuara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për edukimin special, ku qindra të rinj kanë shprehur interesim për ligjëratat nga ekspertë të fushave të ndryshme mbi sindromën Down dhe autizmin.

Seminari trajton dy tema kyçe të kësaj fushe, “Përcaktimi i sjelljes së synuar dhe dizajnimi i edukimit” të ligjëruar nga Deniz Onur, koordinatore e edukimit në Fondacionin Anadolu të Autizmit, si dhe “Zhvillimi i shkathtësive të gjuhës dhe të folurit te personat me sindromën Down dhe Autizëm”, të ligjëruar nga Banu Bahçeci, koordinatore e terapive në fondacionin e njëjtë.

Koordinatori i TIKA-s, Zyra në Prishtinë, Hasan Burak Ceran, tha se nga të gjitha punët e agjencisë në Kosovë, më të rëndësishme për ta janë punët për autizmin dhe sindromën Down.

“Ne si TIKA në Kosovë prej 15 vitesh kemi organizuar shumë projekte. Por, sikurse e thash, më i rëndësishmi për ne është autizmi dhe çështja e sindromës Down. Gjithashtu edhe qendra e rehabilitimit për ne është e rëndësishme. Gjatë viteve të kaluara i kemi përmirësuar kapacitetet infrastrukturore të shkollave me qëllim që t’i përmbushim nevojat e këtyre fëmijëve”, tha Ceran.

“Në vitin 2017 kemi paraqitur kërkesën për ndërtimin e qendrës së autizmit. Ne për këtë çështje kemi kontaktuar me qendrën për autizëm në Konya, e cila është më e madhja në Evropë. Në vitin 2018 u konsultuam me shoqatat dhe bëmë studim fizibiliteti. Realizuam vizita dhe pas vizitave dhe takimeve, të gjithë jemi të mendimit se ka nevojë të ndërtohet një qendër e rehabilitimit”, tha shtoi ai.

Ndërkohë, ngjarjet e tilla ku trajtohen tema për autizmin e sindromën Down u vlerësuan si mjaft edukative për të rinjtë e Kosovës.

Drejtoresha e organizatës “Autizmi Flet”, Violetë Hyseni, tha se puna e përbashkët ka bërë që tashmë për këtë temë të flitet mjaft shpesh në vend.

“Vite më parë, autizmi si term ishte pak i njohur nga opinioni, kurse sot për të flitet dhe dëgjohet kudo. Kjo falë familjarëve më të vetëdijësuar, punës së madhe të profesionistëve, si dhe përkrahësve dhe donatorëve. Kur e them profesionistëve, dhe shikoj masën në sallë, me të vërtetë emocionohem dhe e them me gojën plotë: ju jeni shpresa e familjeve dhe shpresa e fëmijëve tanë”, tha Hyseni.

Seminaret e Edukimit Special janë organizuar nga Zyra Koordinuese e TIKA-s në Prishtinë, nën këshillimin e Binyamin Birkan, ligjërues në Universitetin Biruni, Drejtor i Edukimit në Fondacionin SOBE dhe Koordinator Akademik në Fondacionin e Autizmit Anadolu, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve të Diplomuar në Turqi (TUMED) dhe shoqatën “Autizmi Flet”, shoqatën “Autizmi” dhe Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë.

Seminare të njëjta me ligjërues ekspertë do të mbahen në Prishtinë edhe në muajin prill dhe maj në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore.
Më 20 mars të vitit të kaluar, TIKA në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë marrë vesh që ta bashkëfinancojnë ndërtimin e një qendre për personat me sindromën Down dhe autizëm. Gjysma e këtij projekti do të financohet nga komuna dhe shoqatat, ndërsa gjysmën tjetër do ta financojë qeveria turke përmes TIKA-s.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit