
“Cënimi i fjalës së lirë është akti më i rëndë në demokraci”. Kështu shprehet në një reagim të sajin ish-ministrja e Integrimit dhe ish-deputetja e LSI, Klajda Gjosha.
Teksa nesër pritet votimi në Parlament i paketës që censuron median dhe gazetarët, Gjosha, përmes një postimi në Facebook, shprehet se, çdo ndërhyrje politike për të mbajtur nën kontroll median është tentativë për të shtrëmbëruar të vërtetën dhe për të instaluar frikën.
Në fund, ish deputetja ka edhe një thirrje: “Mjaft më me censurë, është koha e së vërtetës. Është koha për ndryshim”.
Postimi i plotë i Klajda Gjoshës:
Cënimi i fjalës së lirë është akti më i rëndë në demokraci. Një iniciativë e tillë për të vrarë të vërtetën dhe për të censuruar median, e godet fortë Shqipërinë në imazh, në procesin e integrimit europian dhe instalon një sistem diktatorial dhe të rrezikshëm.
Shqipëria në kryesimin e saj të OSBE duhet të jetë një vend model i respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Ne duhet të jemi pararojë e celjes së debatit pë respektimin e pushteteve të pavarura dhe krijimin e kushteve për vetërregullimin e tyre. Cdo ndërhyrje politike për të mbajtur nën kontroll median është tentativë për të shtrëmbëruar të vërtetën dhe për të instaluar frikën, në mënyrë që të sigurojnë pushtetin nëpërmjet abuzimit!
Mjaft më me censurë, është koha e të vërtetës! Është koha për ndryshim!


