PYD/PKK dhe SHBA-të lejuan 3 herë ikjen e militantëve të DEASH-it”

Mos i humb

Talal Silo, ish-zëdhënës i Forcave Demokratike të Sirisë (FDS), organizatë “mbulesë” e organizatës terroriste PYD/PKK, i cili iku nga rajoni, tha se organizata terroriste shumë herë ka lejuar arratisjen e pjesëtarëve të organizatës terroriste DEASH në marrëveshje me SHBA-të.

Silo lidhur me detajet e mbështetjes së SHBA-ve për PYD/PKK-në dhe marrëveshjet e arritura nën petkun e luftës kundër DEASH-it.

PYETJE: Si ndodhën kontaktet tuaja të para me amerikanët?

PËRGJIGJE: (Kur u caktova si zëdhënës i FDS-së) Kërkuan që të takoheshin me mua jashtë Sirisë. Erdhën me një mjet që i ngjante helikopterit. Më morën dhe më dërguan në Erbil. Në bazën amerikane në Aeroportin e Erbilit qëndrova dy ditë. Folëm për koordinimin e punëve dhe aktivitetet për media. Evidentuam mediumet që mbështesin FDS-në. Folëm se me cilat mund të zhvillojmë intervistë.

PYETJE: A keni zhvilluar takim të drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë amerikanë?

PËRGJIGJE: Takimet janë zhvilluar drejtpërdrejt. Edhe unë kam marrë pjesë në këto takime. Kam marrë pjesë në takime me Brett McGurk (Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Luftën Kundër DEASH-it), gjeneralin Stephen Townsend (Komandant i Task Forcës së Përbashkët i Operacionit Vendosmëria e Natyrshme e kryesuar nga SHBA-të) dhe komandantin e CENTCOM (Komanda Qendrore e Forcave Amerikane) Votell. Pjesëmarrësit nga ana jonë i caktonte Shahin Xhilo (i ashtuquajturi komandant i përgjithshëm i FDS-së). Unë merrja pjesë në të gjitha takimet në bazën në Çelebije. Ne kemi mbajtur takim me delegacion të Departamentit Amerikan të Shtetit. Mes Xhilos dhe qeverisë amerikane kishte koordinim të plotë.

PYETJE: Pse e keni përfshirë Hatayin në hartën e Sirisë që gjendet në emblemën e FDS-së, organizatës kukull të PYD/PKK-së?

PËRGJIGJE: Xhilo na tha se “shteti i Sirisë është themeluar duke i dhënë një sakrificë (provincë) Turqisë, porse ne nuk do të heqim dorë nga ajo”. Këtë mbledhje e mbajtëm në godinën për marrëdhënie me publikun të YPG-së në Haseke.

PYETJE: Si vendosnit se çfarë do të flisnit në cilësinë e zëdhënësit të FDS-së?

PËRGJIGJE: Unë u caktova si zëdhënës me udhëzim të Xhilos. Kur u emërova, Bahoz Erdal (përgjegjësi i atëherëshëm i PKK-së për Siri) më ftoi në drekë në Karaçok. Folëm për gjithçka. Më dhuroi një armë. Në FDS, urdhri për të dhënë deklaratë vinte nga Xhilo. Tekstin ma dërgonte me WhatsApp ose Viber. E redaktoja. Kur Bahoz Erdal u larguan, erdhi Nureddin Sofi (nga Kandili). Deklaratat i kontrollonte ai (si njeri mbi Xhilon). Madje, edhe ngushëllimet i publikoja me miratim. Deklaratën për çlirimin e Rakas që e lexova ma kishte dhënë Xhilo. Sipas meje, nuk e ka shkruar ai. Nuk ka aftësi për një gjë të tillë.

PYETJE: A ka pasur deklarata për media të kërkuara nga amerikanët?

PËRGJIGJE: Kërkuan ta dënonim një shpërthim në Turqi. Po ashtu, kërkuan të bënim deklaratë lidhur me atë se FDS nuk ka lidhje me PKK-në. Deklaratën ma dha Xhilo. Kur e pyeti për arsyen, më tha se “një gjë të tillë e kërkuan SHBA-të” dhe se “në këtë mënyrë do të tregohet se nuk ka lidhje mes nesh (FDS) dhe PKK-së. Roli ynë ishte në letër.

PYETJE: Si ishte komunikimi mes të ashtuquajturës FDS dhe krerëve të PKK-së në Kandil?

PËRGJIGJE: Edhe pse Shahin Xhilo ishte komandant i përgjithshëm i FDS-së, ai nuk kishte autoritet fjale. Udhëzimet vinin nga Bahoz Erdal. Ndërkaq, Bahozi merrte urdhrat nga Sabri Ok (udhëheqës i lartë i PKK/KCK-së). M’u deshën dy vite për t’i zbërthyer këto marrëdhënie. Nuk ishte lehtë. Ishin të detyruar që të më merrnin afër tyre posaçërisht në mbledhjet me SHBA-të. Mora pjesë madje gjatë dërgesave të armëve. Gjatë kësaj periudhe, unë fitova besimin e tyre. I dija të gjitha sekretit e tyre të private. PKK firmos vendimet ushtarake, civile dhe ekonomike në rajon. Të gjitha vendimet merren nga Kandili. Personat atje duhet t’i zbatojnë.

PYETJE: Si filloi PYD/PKK të marrë ndihma nga SHBA-të nën emrin FDS?

PËRGJIGJE: SHBA ka ofruar ndihmë me armë dhe municion që nga themelimi i FDS-së e deri më tani. Këto ia dërgonte YPG-së me parashuta. Pas shpalljes së FDS-së, ndihmat me armë dhe municion bëheshin nën emra të ndryshëm, pa përmendur elementin kurd. Edhe unë pranova dy palë dërgesash me armë. Armët që morëm ne ishin të lehta. Ishin prodhim rus. Teksa themelohej FDS, erdhi një delegacion amerikan. Morën shenjat e gishtërinjve dhe retinat e anëtarëve të këshillit ushtarak të FDS-së dhe shkrepën fotografitë e tyre.

Kur amerikanët erdhën për herë të parë në terren, u vendosën në një bazë të vogël me emrin Istirahet el-Vezir mes Hasekes dhe qytezës Tel Temr. Aty bënë pistë helikopterësh. Në rrugën e Dirbasijes themeluan bazën e dytë me emrin Tel Bejder. Edhe këtu themeluan bazë helikopterësh. Ne jepnin armë prej aty, ndërsa vinin edhe nga vendkalimi kufitar Simalka (në kufirin Siri-Irak)

Më vonë u aktivizua edhe baza në Çelebije. Më parë, ky vend ishte fabrikë e çimentos (Lafarge e francezëve). Ishte në afërsi të Sarrinit, mes urës së Ajn Isas dhe Karakozakut. Ndërtuan një bazë të madhe amerikane. Këtu ishte depoja kryesore e të gjitha mbështetjeve të siguruara për FDS-në. Ndihmat u rritën kur u aktivizua baza në Çelebije. Kur erdhi Trump, ne pranuam mbështetje të plotë. Ne pamë qindra automjete ushtarake që transportonin pajisje ushtarake nga vendkalimi kufitar Simalka. Të gjitha transportohen në Çelebije. Prej aty, ato u jepen YPG-së, gjoja FDS-së.

Në hyrje të Çelebijes është një përfaqësues i YPG-së YPG-së me emrin Hemin. Ai e bën koordinimin. Ai pranon dërgesat me armë ose automjete. Ndonjëherë i lë në bazë, ndërsa ndonjëherë i vendos në depon kryesore në të njëjtin rajon. Ia dorëzon komandantit të YPG-së përgjegjës për armët, të quajtur Safkan, i cili i shpërndan në rajone të caktuara.

PYETJE: Përveç ndihmave me armë, çfarë mbështetje të tjera sigurojnë SHBA-të?

PËRGJIGJE: Ofrojnë trajnime ushtarake. Ka një kamp të themeluar për këtë qëllim. Ekzistojnë edhe qendra shëndetësore për trajtim, të cilat përdoren për ndihmë të shpejtë dhe intervenime kirurgjikale të shpejta. Në to ka ekipe shëndetësore amerikane dhe franceze. Po ashtu, francezët kanë ofruar edhe trajnim për gjuajtje me snajper.

PYETJE: A ka pasur ndonjë sinjal se SHBA-të do t’i ndalin ndihmat?

PËRGJIGJE: Sipas deklaratave të SHBA-ve, tanimë nuk do të ofroheshkan armë. Megjithatë, ata kanë marrë armë në masë të mjaftueshme. Kanë marrë para të pallogaritshme.

PYETJE: A mund të veprojë PYD/PKK e pavarur nga SHBA-të?

PËRGJIGJE: Nuk mund të ndërmarrë asnjë hap pa miratim të SHBA-ve, sepse mbështetjen e japin SHBA-të, e veçanërisht mbështetjen ajrore. Ndërkaq, amerikanët nuk mund ta shkatërrojnë DEASH-in duke mos zhvilluar operacion tokësor. Çdokush e di këtë gjë.

PYETJE: A ndodh mosmarrëveshje mes krerëve të PYD/PKK-së dhe amerikanëve?

PËRGJIGJE: Nuk ka asnjë mosmarrëveshje, sepse të dy palët janë aleatë në të gjitha çështjet. SHBA-të i kanë siguruar mbështetje ushtarake të hapur dhe pa kufi FDS-së. Bëhet fjalë për përfitime të përbashkëta në të operuarit së bashku. Përfitimi i FDS-së ose PKK-së është të vendos kontroll në këtë rajon, të cilën e kanë arritur dhe të cilën nuk do ta realizonin pa SHBA-të.

PYETJE: Në çfarë mase është prezenca ushtarake e SHBA-ve në Siri?

PËRGJIGJE: Sipas asaj që na është thënë në takime, aktualisht gjenden dy mijë ushtarë amerikanë. Ka punonjës si trajnues, këshillues dhe përgjegjës të komunikimit në operacionet ajrore. Të pranishëm janë edhe trupa baterish të marinave dhe personeli i forcave speciale. Ka prani edhe nga shtete të tjera, siç janë Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka, edhe pse janë të paktë në numër.

PYETJE: Cili është ndikimi në terren i Përfaqësuesit Special Amerikan për Luftën Kundër DEASH-it, McGurk?

PËRGJIGJE: Që nga fillimi ishte shumë ndikues. Për shembull, në mbledhjen e parë në bazën në Çelebije, u fol për çlirimin e Munbixhit. Ishte ai që e rekomandoi këtë gjë. Tha se për ta bindur palën turke, duhet themeluar këshill ushtarak të qytetit, shumicën e të cilit do ta përbënin arabët. Në këtë mënyrë, u synua të krijohet perceptimi se Munbixhin e çliruan vetë bijtë e vendit. Gjersa bënte rekomandimet, tha se duhet bindur pala turke. Për këtë arsye, thoshte se duhet ofruar një tablo sikur trupat në terren përbëhen nga arabët. Në kuadër të Këshillit Ushtarak të Munbixhit figuronte Unioni i Turkmenëve në Munbixh, edhe pse brenda nuk kishte asnjë person. Unë madje shkrova emrat e grupit që dukej se vepronin nën mbikëqyrjen time duke i sajuar ato. Kjo bëhej me udhëzim të McGurkut.

Po ashtu, edhe në operacionin në Raka u deklarua se do të marrë pjesë vetëm Koalicioni Arab. Në fakt, Koalicioni Arab nuk ekziston. Politikat e FDS-së së komanduar nga Shahin Xhilo, orientoheshin nga McGurk.

Pas çlirimit të Munbixhit, kërkoi të publikonim një komunikatë, në të cilën thuhej se FDS ka çliruar qytetin, se YPG është tërhequr jashtë qytetit dhe se personat e ngelur në qytet janë bijtë e këtij qyteti. Natyrisht, kjo nuk kishte lidhje me të vërtetën.

PYETJE: Marrëveshja që PYD/PKK ka arritur me DEASH-in në Raka dhe ndihma që ua kanë ofruar për të ikur ka nxitur reagime të shumta. Çfarë ndodhi në Raka?

PËRGJIGJE: Negociatat për Rakan u zhvilluan në selinë e përgjithshme të FDS-së në Ajn Isa. Zgjatën dy ditë. U takuan Ebu Muhamed (i cili ka siguruar komunikimin me DEASH-in), Xhilo dhe ndihmësi i tij Kahraman. DEASH-i nuk kishte vend tjetër pos Dejrizorit ku të shkonte. SHBA-të sikur pajtoheshin me këtë, sepse FDS ndërmorri dy hapa njëkohësisht (në Raka dhe Dejrizor). Njerëzit e saj në Dejrizor ishin të pafuqishëm. Ndërkaq, SHBA-të dëshironte që FDS të nisë operacionin në Dejrizor për të arritur në kufirin e Irakut, pa ardhur ushtria e regjimit. Sipas amerikanëve, ushtria e regjimit arriti në Dejrizor në javën e gjashtë. Megjithatë, kur ushtria e regjimit përparoi më shpejt sesa që pritej, SHBA kërkoi që FDS të nisë negociata me DEASH-in. Në këtë mënyrë, terroristët do të shkonin në Bukemal (pranë Dejrizorit, duke dalur nga Raka), për ta penguar përparimin e regjimit. U bënë takime për ta lejuar daljen e tre mijë e 500 terroristëve. Kishte deri në 500 gra dhe të mitur.

SHBA-të dhe Xhilo dëshironin që këta terroristë të arrijnë në Dejrizor para ushtrisë së regjimit sirian. Për këtë arsye, personat që do të dilnin nga Raka nuk do të sulmoheshin. Në të njëjtën ditë, Xhilo kërkoi nga unë të dal para shtypit dhe të luaj një lojë teatrale.

Ne përgatitëm “lojën teatrale” si ekip medial. Sipas kësaj loje, do të thuhej se 275 terroristë vendas të DEASH-it i janë dorëzuar FDS-së me iniciativë të fiseve arabe të Rakas. Në këmbim, gjoja 3.500 civilë do të nxirreshin nga qyteti. Në këtë lojë teatrale (në të cilën në fakt nuk u dorëzua askush), për ta arsyetuar prezencën e këtyre 275 personave, sollën individë nga kampi në Ajn Isa.

Luajtën edhe lojën e dytë për shtypin. Ndaluan hyrjen e gazetarëve në Raka. Gazetarëve u thanë se do të ketë përleshje me militantë të DEASH-it të cilët nuk dalin nga brenda.

Në fakt, nuk shkrepën asnjë plumb të vetëm. Gjatë kësaj periudhe, pjesëtarët e DEASH-it që do të nxirreshin nga qyteti, arritën në vendin e destinuar. Më pas, shpallëm se kemi marrë Rakan.

Më vonë mësuam se një pjesë e militantëve të DEASH-it kanë marrë ryshfet dhe kanë shkuar në vende të tjera (jashtë Dejrizorit). Shumë prejt tyre kishin hyrë ne zonat e Operacionit Mburoja e Eufratit.

PYETJE: Çfarë patë kur hytë në Raka?

PËRGJIGJE: Ajo që ndodhi në Raka nuk ishte çlirim, por rrënim i qytetit. Unë shkova atje ditën që do ta shpallnim çlirimin e Rakas. Fatkeqësisht, u trondita nga përmasat e shkatërrimit në qytet. Mbi 95 për qind ishte e rrafshuar me tokën.

Qëllimi i themelimit të FDS-së ishte që populli dhe trojet tona t’i shpëtojmë nga terrori dhe tirania e DEASH-it. Megjithatë, nëse ato që kam parë unë jan çlirim, atëherë nuk ka pasur nevojë për një çlirim të tillë, sepse ajo që ndodhi ishte rrënim, i cili ndodhi nga duart e dy palëve. FDS e rrënoi, kurse SHBA-të u bënë shkaktar për rrënimin e plotë të qytetit. Ende nuk e di arsyen e kësaj. Më pas, Kuvendi Civil i Rakas, kërkon nga komuniteti ndërkombëtar mbështetje financiare për riparimin e qytetit. Duken sikur do të sigurojnë interesa personale duke u arsyetuar me riparimin e qytetit.

PYETJE: A kishte përleshje të tjera të dakorduara sikur në Raka?

PËRGJIGJE: Raka nuk ishte vendi i parë nga i cili DEASH u tërhoq me marrëveshje. Ishte rasti i tretë i tillë. Marrëveshjet janë bërë nga SHBA dhe Xhilo. Menjëherë para shpalljes së lajmit për çlirimin e Munbixhit, Këshilli Ushtarak tha se ka lejuar që dy mijë terroristë të DEASH-it të cilët përdorën civilët si mburojë e gjallë të largohen nga qyteti. FDS, SHBA-të dhe Këshilli Ushtarak i Munbixhit kanë mbrojtur kështu terroristët dhe i kanë lejuar të tërhiqen nga Jarabulusi. Kjo ishte marrëveshja e parë e tillë.

PYETJE: Ku ndodhi marrëveshja tjetër e PYD/PKK-së me DEASH-in?

PËRGJIGJE: Tjetra ishte në Tabka (në brigjet e Eufratit). Tabka ka dy pjesë, një digë dhe një vendbanim të quajtur Sevre. Tabka u mor dhe kjo gjë u shpall, por Sevre mbeti. Të gjitha operacionet ishin të pasuksesshme, sepse DEASH kishte një rezistencë të fortë. Negociatat ishin të nevojshme. Ebu Muhamed u angazhua. Burri i motrës së tij ishte komandanti i DEASH-it në Tabka. Kërkoi nga ai që të negociojë largimin e 500 terroristëve me garanci të dhënë nga Xhilo dhe amerikanët. Ndërkaq, DEASH kërkoi të kalojë me armë dhe municione nga Tabka në Raka. Pasi negocioi në emrin tonë me SHBA-të, militantëve të DEASH-it iu mundësua largim i sigurtë.

PYETJE: Turqia u kishte propozuar SHBA-ve ta merrnin Rakan me operacion të përbashkët. A e kanë përmendur SHBA-të këtë propozim në terren?

PËRGJIGJE: Amerikanët e përmendën këtë propozim në një takim (në bazën në Çelebije) në të cilën mora pjesë edhe unë. Aty ishte edhe McGurk dhe John McCain (senatori amerikan). McCain tha se Turqia ka sugjeruar që forcat e saj me luftëtarë arabë të hyjnë në Raka nga një korridor i gjerë 25 kilometrash, duke u nisur nga Tel Abjad. Ajo që u përmend nga McCain ishte propozim dhe nuk ishte detyrues. Shain Xhilo e kuptoi këtë dhe tha se Turqisë dhe të tjerëve bashkë me të nuk do t’i hapin korridor as 25 centimetra. McCain u mjaftua me këtë përgjigje dhe vazhdoi të negociojë për ndihmën e armëve të kërkuara nga FDS. Ai premtoi mbështetje të plotë, duke kundërshtuar vetëm një gjë, ofrimin e raketave anti-ajrore.

PYETJE: Nga SHBA-të erdhi reagim me shkrim për afishimin e posterëve të kreut terrorist Ocalan në Raka. Çfarë ndodhi mes palëve?

PËRGJIGJE: Amerikanët vazhdimisht paralajmëruan se posterë dhe slogane të tilla mund ta çonin organizatën në një situatë të vështirë para publikut. Pala kurde nuk i pranoi këto paralajmërime. Posterët e Ocalanit ishin të pranishëm edhe në vendet ku kemi negociuar me amerikanët. Këto posterë ishin gjithashtu në mbledhjen e parë të përgjithshme të FDS-së. Të gjithë flamujt dhe simbolet në rajon ishin të YPG-së, YPJ-së dhe të ngjashme. Në fakt, nuk mund ta shohësh asnjë flamur të FDS-së. Amerikanët e dinin shumë mirë me kë po punonin.

PYETJE: Në këmbim të gjithë kësaj mbështetjeje, a nuk kërkuan krerët e organizatës mbështetje të hapur në arenën ndërkombëtare për PKK/KCK-në, pra, për trungun kryesor të organizatës?

PËRGJIGJE: Çfarë ndihme tjetër do të ketë? PKK ka nevojë për mbështetje në armë dhe para. Armët shkonin në FDS dhe, prej aty, në YPG. Pastaj, nga YPG, shkonin në PKK. Prandaj, Xhilo nuk ka nevojë të kërkojë armë për PKK-në, sepse, sidoqoftë, në fund të fundit, këto armë arrijnë në PKK përmes YPG-së./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit