Qeveria ndan 500 mijë euro për ekipin kombëtar të futbollit

Mos i humb

Vendimi për vendosjen e masës mbrojtëse për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është ndryshuar dhe taksa do të ketë vlerën 100 % të mallrave të importuara nga këto vende.

Gjithashtu do të ndalohet importimi i produkteve që në etiketa dhe deklarata përcjellëse të mallrave të importuara shkruajnë emërtimet “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë 1244”, “Kosovë UNMIK”.

Në arsyetim të vendimit thuhet se, Marrëveshja e CEFT-as në raportet tregtare Kosovë-Serbi është shkelur në vazhdimësi nga pala serbe, që nga nënshkrimi i saj.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar draftin e rendit të ditës për Mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Për këtë qëllim, për të mbuluar të gjitha shpenzimet që do të krijohen nga realizimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 120 mijë euro.

Me qëllim të realizimit të rregullimit të statusit të zjarrfikësve të Republikës së Kosovës, Qeveria ka ndarë mjete në vlerë 600 mijë euro që do të përdoren për kompensimin e orëve shtesë të zjarrfikësve.

Qeveria ka miratuar vendimin për pezullimin e të gjitha vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore që administrohen nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit te Komunat e Kosovës për qëllim të realizimit të interesit publik. Vendimi anulon të gjitha vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore te komunat e Kosovës për qëllim të realizimit të interesit publik për të cilat i janë drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e për të cilat verifikohet se ka Kontrata të Shitjes, apo në të cilat ka masa të përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës. Nga ky vendim përjashtohen vendimi për Parkun Inovativ në Prizren, Zonën Industriale Amerikane në Gjakovë dhe ai për ndërtimin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

Me qëllim të sqarimeve të mëtejme lidhur me kërkesat e Komunave themelohet Grupi Punues në këtë përbërje:

– Sekretari i Përgjithshëm në MAPL, Kryesues;

– Koordinatori i për Reforma Shtetërore në ZKM;

– Drejtori i ZL – MAPL, anëtar;

– Drejtori i DL në MD;

– Asociacioni i Komunave të Kosovës;

– Drejtori i ZL-ZKM;

– Drejtori i SKQ-ZKM;

– Ftohet AKP që ta dërgoj një përfaqësues në Grup Punues.

Grupi Punues do të paraqes raport me shkrim dhe rekomandime lidhur me këtë çështje brenda një jave.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancim të bursave në nivel të studimeve master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Është miratuar Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, i cili synon reformimin e legjislacionit në funksion të shtetit ligjor, duke forcuar mbikëqyrjen gjyqësore të procesit të ekzekutimit të sanksioneve të vendosura në rastet penale. Në këtë funksion do të jenë edhe ndryshimet për:

– Krijimin e qendrës për vlerësimin e të burgosurve;

– Përcaktimin e kushteve të përzgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucione të Shërbimit Korrektues;

– Përcaktimi i beneficioneve për të dënuarit;

– Procedurat e punësimit të të dënuarve jashtë institucionit korrektues;

– Përcaktimi i kompetencave të njësisë ekonomike të Shërbimit Korrektues; dhe

– Kompetencat dhe përgjegjësit e inspektoratit.

Me vendim të kabinetit qeveritar është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave për kursime, ndarje, transferim dhe rialokime buxhetore ndërmjet kategorive të shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2018.

Një vendim tjetër i aprovuar sot nga kabineti qeveritar obligon Doganën e Kosovës që të hap zyrë që do të kryej procedurat doganore për mallrat që importohen përmes terminaleve të tragetit, anijeve dhe kontejnerëve në portin e Durrësit, dhe që kanë destinim final tregun e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës ka marrë vendimin për ndarjen e mjeteve për përmbushjen e kontributit vjetor të Republikës së Kosovës në Qendrën Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjat, me seli në Shkup, për vitin 2018, në shumën prej 17,580 euro.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme, i është dhënë në shfrytëzim afatgjatë ‘FC Prishtina’, parcela në sipërfaqe prej 100 000 metra katror, në Bernicë të Poshtme. Prona jepet në shfrytëzim pa kompensim dhe mënyra dhe kushtet e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme do të përcaktohen me kontratën që do të nënshkruhet në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqësuesi i shfrytëzuesit.

Një vendim preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i Projektit “Renovimi dhe Ndërtimi i Objekteve për nevoja të selisë qendrore të Federatës së Futbollit të Kosovës” dhe një për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Pejë, në zonat kadastrale të komunës së Malishevës, Klinës dhe Pejës, janë miratuar në mbledhjen e sotme.

Plotësim, ndryshim dhe anulim të pjesshëm ka marr vendimi i Qeverisë së Kosovës me të cilin janë shpallur zona me interes të veçantë pronat e paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit (Rezidencave) Qeveritar” në zonat kadastrale në Prishtinë dhe Graqanicë.

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për miratimin e nismës së nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunimin doganor me Republikën e Shqipërisë për pikën kufitare Vërmicë-Morinë.

Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për Kombëtaren e Futbollit të Republikës së Kosovës si dhe ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për përjashtim nga procedurat e Ligjit për prokurim publik në çështjen e angazhimit të përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka propozuar, e Qeveria ka plotësuar vendimin me pjesën për zhvarrim dhe rivarrim të eshtrave të Dëshmorit Hazir Mala./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit