Kosova po përballet me nivel të lartë të ajrit të ndotur. Me afrimin e sezonës së dimrit niveli i ndotjes është edhe më i madh.
Qytetarët ndihen të shqetësuar me ajrin e ndotur derisa përmendin edhe efektet negative që ky ajër po ua sjellë në shëndet.
Ndërkaq, matësit e vendosur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, donacion nga qeveria japoneze, po shihen si hap pozitiv nga qytetarët, por ata kërkojnë që të bëhet më shumë për mbrojtjen e ajrit.
Qytetari Islam Menxhiqi thotë se prezenca e ajrit të ndotur është edhe në lagjen ku ai jeton në “Tokbahçe” e që njihet si park.
“Edhe në “Tokbahçe” kur po shkoj, kur vi duhet me i pastruar duart prej pluhuri, ajri katastrofë është.
Po e kam parë që e kanë vendosur matësin, veç askund në botë nuk ka kështu, fabrika ka pasur edhe përpara, por nuk ka qenë kështu, ka pasur pluhur, por nuk ka qenë kështu”.
Kurse qytetari tjetër Ramadan Kajtazi thotë se as dritaret nuk po mund t’i hapin gjatë kësaj sezone pasi ajri është shumë i keq.
“Po t’i hapim dritaret brenda s’mundesh me qëndru, bile kur bie mjegull bëhet shumë keq”, thotë ai për EO.
Një tjetër qytetar, Mustafë Munishi tregon se e ka parë matësin për cilësinë e ajrit, por sipas tij duhet të ndërmerren hapa për pastrimin e ajrit pasi gjendja është shumë keq.
“E kemi pa që e kanë vendosur matësin, por nuk është ajo asgjë, me pastru ajrin se me e mat po e dimë krejt si është. Ajri nuk është kurrqysh, hiç hiç kurrqysh, ajër ma i keq s’ka”, tha ai.
E nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH) e pranojnë se gjendja e cilësisë së ajrit është e keqe.
Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministrit për Mjedis dhe Planifikim Hapsinor, Fatmir Matoshi, thotë se me instalimin e 8 stacioneve për matjen e cilësisë së ajrit, qytetarët do të njoftohen në kohë reale për nivelin e ndotjes dhe në këtë mënyrë synohet edhe vetëdijesimi i qytetarëve se çfarë ata mund të kontribuojnë në këtë aspekt.
“Gjendja në të cilën ndodhemi është e keqe dhe këtë na tregon edhe sistemi softueri në të cilin e kemi instaluar. Nga 8 stacionet që i kemi në komunat e Kosovës të cilat monitorojnë cilësinë e ajrit, të gjitha këto stacione i kemi integruar në softuerin i cili i tregon të dhënat mbi cilësinë e ajrit nga këto 8 stacione dhe qytetarët kanë mundësi në kohë reale online të shohin të dhënat lidhur me cilësinë e ajrit dhe përpos kësaj ne kemi bërë aplikacionin mobil për iphone dhe android dhe nëse ne e shkarkojmë këtë program duke kërkuar me emrin “Kosovo air kuality” dhe posa ta shkarkojmë këtë program në telefonin tonë ne mund ti shohim për secilin stacion lidhur me cilësinë e ajrit”, tha ai për EO.
“Vendosja e monitorëve ka për qëllim informimin e qytetarëve e publikut, por jo vetëm informimin por që secili qytetarë të reagoj të reflektoj, nëse e sheh në monitor që gjendja është alarmante nëse djeg thëngjill mos me djeg, nëse lëviz me veturë personale ta përdorë transportin publik, secili nga ne në bazë të vlerësimeve personale lidhur me cilësinë e ajrit të reflektoj dhe të ndikoj sa do pak në reduktimin e kësaj ndotje”.
Sahiti fajtorë për ajrin e ndotur i bënë 3 faktorë, termocentralin “Kosova B”, veturat e shumta që qarkullojnë gjatë sezonës së dimrit si dhe ekonomitë familjare dhe bizneset që përdorin qymyrin si lëndë djegëse për ngrohje.
“Jemi futur në sezonën e vjeshtës ku me rënien e temperaturave rritet edhe niveli i ndotjes së ajrit, kjo për shkak edhe të kushteve meteorologjike, rritjes së lagështisë, por edhe për shkak të rritjes së përdorimit të thëngjillit për ngrohje po ashtu edhe për shkak të rritjes të trafikut të dendur sidomos në zonat urbane rritet edhe nevoja për qarkullim më të madh të veturave. Faktorë tjetër është edhe termocentrali “Kosova B” i cili që nga viti 1984 nuk i janë ndërruar filtrat dhe kjo përbën një problem sa i përket ndotjes që vjen nga ky termocentral. Kemi 3 faktorë termocentralin “Kosova B”, veturat dhe ekonomitë familjare dhe bizneset të cilat djegin thëngjill, të gjithë këta faktorë po ndikojnë në nivelin e ngritjes së ndotjes së ajrit, mirëpo determinues mbeten kushtet atmosferike”.
Shoqëria civile është ajo që ka ngritur alarmin e nivelit të madh të ndotjes duke reaguar në mënyra të ndryshme.
Dardan Abazi nga INDEP për Ekonomia Online është shprehur se kualiteti i ajrit është i ulët dhe i pashëndetshëm.
Ai shprehet se duhen të ndërmerren masa të menjëhershme përpara se pasojat të jenë të pariparueshme.
“Ne kemi bërë diskutime rreth çështjes së kualitetit të ajrit atëherë kur nuk është kualiteti i ulët i ajrit, aktualisht tash kuantiteti i ajrit ka shënuar jashtëzakonisht të madhe jemi në nivele të pashëndetshme mbi 150 është vlera e sotme. Vërtetë duhet marrë masa të menjëhershme që të adresojmë çështjen e ndotjes së ajrit përparëse pasojat të jenë të pariparueshme”.
Abazi shprehet se si shoqëri civile duan të shohin një Qeveri e cila ka synime serioze për të dekarbonizuar Kosovën.
“Tani në muajt e dimrit më së shumti e vuajmë faktin që djegim qymyr e në plan afatgjatë ne duam të shohim një qeveri e cila vë synime ambicioze për të dekarbonizuar tregun e energjisë së Kosovës për të dekarbonizuar tërësisht Kosovën dhe për tu drejtuar drejt të ardhmes së gjelbër e cila siguron edhe zhvillim ekonomik edhe mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit por edhe i hap rrugë integruese Kosovës për Bashkimin Evropian”./eo/