Zëvendëspresidenti Fuat Oktay mori pjesë në Forumin e Biznesit Turqi-Katar, që u mbajt të premten në Ankara.
Në fjalën që mbajti këtu Oktay tha se Katari ka qëndruar përherë pranë Turqisë në hapat e ajo ka ndërmarrë për stabilitetin rajonal në kuadër të luftës që është bërë kundër PKK/YPG-së pas tentativës tradhtare të organizatës terroriste FETO më 15 korrik 2016.
Oktay vlerësoi shumë të rëndësishme edhe mbështetjen që Katari i jep operacionit “Burimi i Paqes”, ndërsa shtoi se procesi që po përjetohet tani shpalos hapur para syve qëndrimin hipokrit të shumë vendeve ndaj organizatave terroriste.
“Ky qëndrim është i njëjtë me mentalitetin që fshihet prapa vendimeve të padrejta që katërshja arabe ka marrë për embargo dhe sanksione kundër Katarit”,- theksoi zv/presidenti turk.
“Edhe p/ligji i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dhe që parashikon sanksione kundër Turqisë për shkak të operacionit «Burimi i Paqes» bashkë me rezolutën që njeh pretendimet për të ashtuquajturin gjenocid armen janë manifestim i të njëjtit mentalitet spekulues”,- shtoi ai.
“Këta hapa të pafatë nuk kanë asnjë vlerë për ne. Ata që përpiqen të denigrojnë në parlamentet e tyre historinë tonë dhe qëndrimin tonë kundër terrorizmit duhet ta dinë se ne nuk do t’ua vëmë shumë veshin këtyre kërcënimeve, nuk do të kthehemi prapa nga rruga jonë”,- nënvizoi Oktay.