Rama dhe Zaev vizitë në Pustec

Mos i humb

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë, Zoran Zaev, u takuan sot me komunitetin maqedonas në Bashkinë Pustec.

Në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë, thuhet se Rama dhe Zaev u takuan me banorët e Pustecit dhe autoritetet lokale. Gjithashtu ata vizituan shkollën e mesme të bashkuar të zonës.

Në njoftim thuhet se kryeministri Rama gjatë vizitës theksoi rëndësinë që i kushtohet bashkëjetesës mes komuniteteve, sipas tij, si ura që forcojnë edhe miqësinë mes vendeve.

“Besoj se është shumë domethënëse që ne jemi së bashku sot këtu. Takimi me këtë komunitet nuk është thjesht një vizitë simbolike, por është edhe një mënyrë për të treguar për të gjithë opinionet tona publike në Shqipëri dhe Maqedoni, sesa shumë rëndësi, ne i japim kësaj bashkëjetese dhe sa e rëndësishme është që njësoj si këta fëmijë që i flasin mrekullisht të dyja gjuhët, edhe Shqipëria dhe Maqedonia të komunikojnë mrekullisht me njëra-tjetrën”, theksoi Rama.

Ndërsa kryeministri Zaev, sipas njoftimit, u shpreh se: “Ne jemi mirëpritur nga banorët dhe patëm mundësinë të shikonim një performancë të shkëlqyer me recitime në gjuhën maqedonase dhe shqiptare. Kjo tregon se gjuha maqedonase përdoret këtu dhe fëmijët e mësojnë atë. Shpresoj se gjuha maqedonase do të ushqehet këtu, natyrisht, në respekt të ligjeve në Shqipëri. Jam i kënaqur që sot jemi këtu, së bashku me kryeministrin Rama, të takohemi me autoritetet lokale, të diskutojmë për problemet me të cilat ata përballen dhe natyrisht, për të vazhduar marrëdhëniet me komunitetin maqedonas që jeton këtu në Pustec”.

Kujtojmë se dje në Pogradec u mbajt mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Maqedoni. Mes dy vendeve janë nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi, si në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, memorandum mes ministrive të brendshme mbi forcimin e kontrollit të brendshëm, për bashkëpunimin në fushën e arkivave dhe memorandume të tjera./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit