Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në takim me biznesin, se ekonomia është në një fazë shumë pozitive dhe ky nuk është opionon por mendim i bazuar në krijimin e një opinioni mbi faktet.
“Nuk ka qenë ekonomia jonë asnjëherë më mirë se sot dhe nuk ka pasur asnjëherë në territorin e sipërmarrjes më shumë oportunitete dhe më shumë rezultate se sot. Këtë besoj e tregojnë të gjitha letrat tuaja dhe përveç letrave, e tregojnë dhe ato letrat e tjera që ju s’na i tregoni ne, po kjo është temë tjetër dhe këtë e tregon faktikisht dhe rritja e madhe e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si pasojë e mirë administrimit patjetër, por dhe si pasojë e rritjes së ekonomisë”, u shpreh Rama gjatë takimit me biznesin ku u paraqit reforma e inspektimeve.
“Në këto kushte ne duhet ta ndihmojmë më të njëri-tjetrin. Si ta ndihmojmë më tej njëri-tjetrin? Shteti duke bërë sa më të lehtë punën tuaj, duke garantuar sa më mirë hapësirën tuaj nga interferencat e natyrave të ndryshme, duke e siguruar sa më mirë rrugën e konkurrencës mes jush dhe ju duke qenë korrekt me ligjin dhe me shtetin sepse me kontributet tuaja, pastaj shteti bën ato gjëra që biznesi nuk i bën dot. Siguron shërbimin publik shëndetësor, siguron shërbimin publik arsimor, siguron shumë e shumë gjera të tjera, shpenzimet kapitale e kështu me radhë”, vijoi Rama.
Ai falënderoi bizneset për punën e tyre dhe kërkoi ndjesë për gjithë ato raste kur shteti nuk arrin dot të jetë dinjitoz në derën e sipërmarrjes dhe shfaqet përmes figurash që sillen në mënyrë jokorrekte.
“Por jini të sigurt që nëse ka midis shumë gjërave që na bashkojnë, një gjë që ju me mua dhe mua me ju më bashkon më shumë se të gjitha, është neveria për karikaturat që shfaqen nëpër dyer dhe që vendosin në pozitë, duke kërkuar që ju të jepni patjetër atë që ju e quani kafe, se këtë fjalën kafe, ju e keni nxjerrë. “I dhashë një kafe”.
Bashkërisht ne patjetër që do bëjmë më shumë dhe do ta çlirojmë këtë territor nga ky presion”, theksoi Rama.
Në vijim të dialogut mes qeverisë dhe biznesit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit, në Shtëpinë e Biznesit, ku u prezantuan hapat kryesore që do të ndërmerren në reformën e inspektimeve, për të ndërtuar një sistem të bazuar në bashkëpunim, në transparencë, vetëdeklarim, jo në penalizime, por në lehtësi të të bërit biznes dhe në garantimin e konkurrencës së lirë.


