Mbi gjysmë milionë qytetarë shprehën interesin për Këshillimin e parë Kombëtar.
Lajmin e ka bërë ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar dhe shifrat e qytetarëve të cilët kanë marr pjesë duke kthyer përgjigje në tri format e komunikimit online, me postë dhe në tenda.
“Mirëmëngjes dhe me një falenderim të megjithëzemërt për mbi gjysmë milionë shprehje interesi për Këshillimin e parë Kombëtar, si edhe duke i siguruar të tërë pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh, ju uroj të gjithëve një fundjavë të qetë”, tha Rama.
Kryeministri informon se 563,195 qytetarë shprehën interes për Këshillimin Kombëtar, ku nga këta 340,143 pyetësorë të kthyer me postë nga qytetarët, 127,130 qytetarë e kanë plotësuar online dhe 95,922 në tenda.
Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.


