Reshjet e dendura të shiut izolojnë disa fshatra! Probleme dhe me rrëshqitjen e dherave në rrugë

Mos i humb

Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruar me erë të fortë kanë përfshirë vendin në dy ditët e fundit, duke shkaktuar probleme në disa akse rrugore.

Rrëshqishtja e dherave ka bllokuar disa rrugë ndërsa prurjet e lumenjve dhe përrenjve kanë izoluar fshatrat në Librazhd dhe Gramsh:

Reshjet e shiut kanë vazhduar përgjatë gjithë natës në Lezhë, por raportohet se situata po mbahet në kontroll për të shmangur përmbytjet.

Niveli i lumenjve dhe sistemi kullues është në kuota normale.

Hidrovorët janë në gatishmëri teknike për pune, njoftojnë autoritetet lokale.

Shirat e furishëm kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në disa akse rrugore të Librazhdit. Pamjet nga rruga e Qarrishtës tregojnë bllokimin e plotë, që e bën këtë aks të pakalueshëm nga automjetet.

Disa fshatra të Gramshit janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë vazhduar gjatë natës.

Ka vështirësi për të lëvizur drejt qendrës së Poroçanit, për shkak të fryrjes së përroit Liçaj.

Në njësinë e Kushovës është bllokuar fshati Kërpicë. Në njësinë administrative Pishaj është shembur ura e fshatit Liras.

Problem për qarkullimin e mjeteve ka dhe në Bicaj, Posnovisht, Kishtë.

Moti i keq mbizotëron prej disa ditësh në Vlorë. Për pasojë, është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla, ndërsa tragetet kanë dalë në Rad, për të shmangur përplasjen me shkëmbinjtë.
Niveli i lumit Vjosa është 6.10 metra mbi nivelin e detit këtë mëngjes, ndërkohë që një natë më parë arrti në kuotat 6.70.

Pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 metra mbi nivelin e detit.

Prurjet e Vjosës, të hënën shkaktuan përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit, por pa problem për banorët e njësisë administrative Novoselë.

Peshkatarët në Radhimë u përballën këtë mëngjes me një situatë të pazakontë, teksa dallgët e mëdha mbushën me ujë varkat e tyre të peshkimit.

Ata luftuan me erën e fortë dhe dallgët që arrinin 6-7 ballë e që mbuluan varka, skafe e gomone.

Peshkatari Sherif Dyrmishi tregon se janë mbytur disa varka të vogla, ndërsa shprehet i shqetësuar pasi nëse situata përsëritet, koston për ta do ishin shumë të larta.

Ndërkohë që kushtet meteorologjike nuk favorizojnë lundrimin detar. Era fryn nga veriperëndimi, forca e detit në gjirin e Vlorës është 6-7 ballë, ndërkohë në det të hapur deri në 8 ballë, me shpejtësinë e erës që arrin në 15-20m/s dhe lartësia e dallgës 2.5 m.

Mjetet e vogla nuk lejohen të dalin në det, ndërkohë që trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka mbërritur në orët e para të ditës.

Prej tri ditësh edhe qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi ere.

Intensiteti ka qenë i lartë dhe ka arritur të nxjerrë nga shtrati në disa segmente lumenjtë Drino dhe Vjosa ndërsa edhe përrenjtë malorë kanë sjellë aluvione në disa akse dytësore.

Përroi i Lazaratit përmbyti për rreth 1 orë aksin nacional drejt Kakavijës por tani situata është nën kontroll.

Probleme kanë pasur edhe rrugët dytësore që çojnë drejt disa zonave të thella në Tepelenë, Përmet , Malësinë e Golemit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit