Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në 24 orët e fundit është regjistruar një rast i ri i vdekjes nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 45.
Në kumtesën e ministrisë thuhet se bëhet fjalë për një paciente 76-vjeçare e cila ka humbur jetën para dy ditëve në spitalin “8 Shtatori”, por rezultati pozitiv i testit të së ndjerës ka arritur sot.
Gjithashtu, nga ministria informojnë se janë diagnostifikuar 66 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve tani është 974.
Në mesin e të diagnostifikuarve të rinj, 27 janë nga qyteti i Kumanovës, 10 nga Shkupi, nga 5 pacientë janë nga Ohri dhe Tetova, nga 4 pacientë të rinj janë regjistruar në Prilep dhe Strugë, nga 3 në Shtip dhe Koçani, nga 2 në Veles dhe Negotinë dhe një në Gostivar.
Nga gjithsej 974 të infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, shumica prej tyre janë regjistruar në Shkup (339), Kumanovë (262) dhe Prilep (89), ndërsa raste të konfirmuara janë regjistruar në pothuajse të gjitha qytetet e vendit.
Në kumtesën e ministrisë theksohet se në 24 orët e fundit nga sëmundja janë shëruar 12 pacientë, me çka numri i përgjithshëm i të shëruarve është rritur në 98.
Nga ministria informojnë se janë kryer 500 teste të reja, me çka numri i përgjithshëm i testeve të bëra është gjithsej 9.762.
Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masa të reja për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, e cila kufizon lëvizjen e lirë gjatë ditëve të punës nga ora 16:00 deri në ora 05:00 dhe gjatë fundjavave, duke filluar nga e premtja në ora 16:00 deri të hënën në ora 05:00.
Ndërkohë, të hënën Qeveria mori vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve për periudhën në vazhdim, përfshirë edhe për festën e Pashkëve, gjegjësisht gjatë fundjavës, si dhe të hënën.
Sipas kësaj nga e premtja më 17 prill në ora 16:00 deri të martën më 21 prill në ora 05:00 të mëngjesit do të ndalohet lëvizja për të gjithë qytetarët në territorin e mbarë vendit.
Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në territorin e gjithë vendit.


