Rusia paralajmëron SHBA-të: “Mos luani me zjarr në Siri”

Mos i humb


Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, ka thënë se SHBA-të janë duke hedhur hapa drejt ndarjes së Sirisë duke përdorur PYD/PKK-në, duke i bërë thirrje vendit të mos luajë me zjarr në Siri.

Lavrov i vlerësoi zhvillimet e fundit në Siri në seancën e titulluar “Rusia në Lindjen e Mesme: Rol në të gjitha skenat” të organizuar në Moskë nga Klubi Diskutues Valdai.

“I ndjekim me shqetësim hapat e SHBA-ve për ndarjen e Sirisë, veçanërisht në terren, në lindje të Lumit Eufrat, në kufijtë e Sirisë me Turqinë dhe Irakun. Duket sikur SHBA-të do të duhet të hedhin hapa me të cilat do të vërtetojnë se qëllimi i vetëm në Siri është luftimi i DEASH-it”, tha Lavrov, duke kritikuar hapat e SHBA-ve në Siri.

“SHBA-të, duke shfrytëzuar PYD-në (PYD/PKK), janë duke hedhur hapa drejt ndarjes së Sirisë. Kjo u bë shkak për tensionimin e raporteve me Turqinë. I bëjmë thirrje SHBA-ve të mos luajë me zjarr. I bëjmë thirrje të hedh hapa të cilat do të kenë parasysh interesat afatgjate të të gjithë popujve në Siri, duke përfshirë dhe kurdët”, u shpreh Lavrov, duke i bërë thirrje SHBA-ve të mos hedhin hapa për interesa afatshkurtër të politikës ditore.

Më tej, duke i rekomanduar një personi mbështetës të organizatës terroriste PKK të mos brohorasë slogane në konferencë, Lavrov theksoi: “Nuk e shohim të duhur që kurdët përdoren për synimet gjeopolitike të disa lojtarëve”.

Lavrov poashtu theksoi se njësitë e SHBA-ve në jug të Sirisë duhet të tërhiqen menjëherë.

“Në rrethinën e El Tanf, SHBA-të kanë krijuar një zonë të re të sigurisë ku gjendet dhe një kamp për refugjatë, kamp ky i cili mendojmë se përdoret për vendosjen e militantëve të rinj. Duhet që kjo zonë të mbyllet menjëherë dhe të lejohet që në këtë kamp të arrijnë ndihmat humanitare”, tha ministri i Jashtëm rus.

– “Mund të kuptohen shqetësimet e Turqisë”

Në pjesën e parashtrimit të pyetjeve, fjalën e mori dhe ministri i Jashtëm iranian, Muhammed Javad Zarif, i cili u shpreh se mund të kuptohen shqetësimet e Turqisë sa i përket hapave të SHBA-ve në Siri.

“SHBA-të në Siri po hedhin hapa gjeopolitik dhe gjeoekonomik shkurtpamës. Fatkeqësisht, në të njëjtën kohë, po abuzohet me një pjesë të popullatës kurde. Andaj dhe mund të kuptohen shqetësimet e Turqisë sa i përket hapave të SHBA-ve këtu”, theksoi Zarif, duke thënë se SHBA-të në Siri janë duke hedhur hapa pa vizion.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit