Moska zyrtare shprehu keqardhjen e saj për veton e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj rezolutës për Kudsin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) duke thënë se Washingtoni ka shkuar në kundërshim me bashkësinë ndërkombëtare.
“Është për të ardhur keq se SHBA-të, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që veten e llogarit si ndërmjetës kyç në konfliktin Palestinë-Izrael, demonstron një qasje e cila është në kundërshtim me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Në kumtesë thuhet se ky veprim, zbehë bazën ligjore ndërkombëtare për një zgjidhje në Lindjen e Mesme.
Deklarata e Moskës zyrtare vjen një ditë pasi SHBA-të vendosën një veto mbi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ndalon hapjen e selive diplomatike në qytetin e kontestuar të Kudsit.
Dy javë më parë, SHBA-të morën një vendim për të njohur qytetin e shenjtë për kryeqytet të Izraelit, si dhe bënë të ditur se do të zhvendosin ambasadën e tyre nga Tel Avivi, atje ku të gjitha shtetet kanë ambasadat e tyre në Izrael.
Rezoluta e sponsorizuar nga Egjipti u votua nga 14 shtete, dhe e njëjta kërkonte nga presidenti amerikan Donald Trump të anulojë vendimin e mëparshëm.
SHBA-të ishin shteti i vetëm mospajtues./Rtv islam/


