Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, 6 dhjetori pushim zyrtar për kryeqytetin

Mos i humb

TIRANË- Qeveria ka vendosur ditë pushimi zyrtar 6 dhjetorin vetëm për Tiranën, ditën kur do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Kjo do të thotë që ditën e martë, me datë 6 dhjetor administrata dhe shkollat do të jenë pushim.

Raportohet se ky vendim vjen për shkak të masave të sigurisë që janë marrë për ditën kur do të zhvillohet samiti, pasi në Tiranë do të mblidhen të gjithë liderët europianë.

Tirana do të blindohet me forca të shumta sigurie. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit.

Niveli i masave të sigurisë duket se do të jenë ‘të hekurta’, gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku.

Disa nga akset kryesore në vend do të bllokohen, përfshirë unazën për kalimin e makinave. Do të ketë edhe 16 nivele sigurie, që do të thotë kontrolle të ndryshme nga forcat e sigurisë.

Ndërkohë që prej disa ditësh ekipet e Brukselit ndodhen në Tiranë për të koordinuar punën me ekipet shqiptare sa i përket sigurisë. Ekipet e Brukselit po zhvillojnë trajnim me gardën dhe Policinë e Shtetit.

Pavarësisht se samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor, një pjesë e delegacioneve të huaja pritet të mbërrijnë që në datën 5.

Gjithçka pritet të nisi rreth orës 10 të mëngjesit, ndërsa pritja e liderëve do të bëhet tek sheshi Italia dhe do të drejtohen drejt hotelit Mariotit tek stadiumi ‘Air Albania’. aty ku do të zhvillohet edhe mbledhja e samitit.

Mbledhja do të ketë një ndërprerje rreth orës 13:00 për të vijuar me hapësirën e drekës, ndërsa rreth orës 15:00 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama, presidentes të Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit