Samiti i “Ballkanit të Hapur” mblidhet sot në Ohër, pritet nënshkrimi i katër marrëveshjeve

Mos i humb

Zhvillohet ditën e sotme në Ohër samiti i “Ballkanit të hapur”, ku do të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç,  dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Pjesëmarrësve, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.

Nisja e punimeve pritet të nisë në orën 10:00, duke vijuar më pas me seancën plenare dhe zhvillimet e tjera të parashikuara në axhendë.

E reja e këtij samiti ka të bëjë me pjesëmarrjen e kryeministrit të Malit të zi, Dritan Abazoviç, dhe kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dy vende këto që deri tani e kanë cilësuar veten jashtë “Ballkanit të Hapur” dhe nuk e kanë pranuar këtë nismë.

Kjo nismë synon zbatimin e katër lirive të BE, liria e lëvizjes së qytetarëve, liria e lëvizjes së kapitalit, shërbimeve dhe mallrave.

Ky samit do të fokusohet në disa seanca, seanca e parë që shënon nisjen e sesionit, në vijim seancat që kanë të bëjnë me kulturën dhe turizmin, për të arritur në orën 13:30 ku pritet të nënshkruhen katër marrëveshjet.

Këto marrëveshje kanë të bëjnë me njohjen e diplomave mes vendeve të nismës së “Ballkanit të Hapur”, marrëveshja për turizmin, marrëveshja për kulturën dhe marrëveshje për luftën kundër evazionit fiskal.

Në këtë samit do të jetë pjesëmarrës edhe komisoneri për zhvillim i BE Oliver Harhelyi.

Kosova nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Ky proces është një iniciativë e nisur në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin evropian. Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Në letrën dërguar Kovaçevskit, Kurti ka ftuar homologun maqedonas që “të punojmë së bashku për të parandaluar Serbinë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Varhelyi dhe Escobar do t’u drejtohen pjesëmarrësve
Pjesëmarrësve në Ohër, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si dhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Me këtë hap, Varhelyi dhe Escobar do të dëshmojnë se nisma e “Ballkanit të Hapur” ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës amerikane.

Çfarë parashihet në marrëveshjet që pritet të nënshkruhen?
Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Tri vendet anëtare i kanë ftuar vazhdimisht edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Deri më tani, palët kanë nënshkruar disa marrëveshje – për lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, për bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave e të tjera.

Marrëveshja që pritet të nënshkruhet të mërkurën për luftë kundër evazionit fiskal, thekson se tri vendet e kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në këtë fushë, gjegjësisht në shmangien e pagesës së taksave.

Marrëveshja tjetër që pritet të nënshkruhet për njohjen reciproke të diplomave, mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, tri vendet pritet të nënshkruajnë edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim kulturor në Ballkanin Perëndimor.

Në memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit, i cili gjithashtu pritet të nënshkruhet në Ohër, parashihet formimi i një harte turistike, të quajtur “Ballkani i Hapur”. Shtetet nënshkruese janë të detyruara t’i inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, ndërkohë që parashihet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit