Kancelari gjerman Olaf Scholz përsëriti sot thirrjen e tij për një tjetër konferencë paqeje për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës dhe kjo duke thërritur në tryezë edhe Kremlinin.
“Tani është momenti, tani është koha kur ne duhet të kuptojmë se cilat opsione janë në dispozicion”, tha Scholz në një fjalim para parlamentit gjerman, Bundestag, në Berlin.
“Ne kemi nevojë për një konferencë tjetër paqeje. Dhe Rusia duhet të ketë një vend në tryezë. Kjo është detyra që duhet të trajtojmë tani, për të nxjerrë në pah atë që është e mundur”, tha Scholz.
Ai pranoi se disa votues gjermanë kundërshtojnë ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe kanë mbështetur partitë që në mënyrë eksplicite kanë bërë fushatë kundër një mbështetjeje të tillë.
Por, Scholz theksoi se është gjëja e duhur për të bërë “për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme”.
”Në të njëjtën kohë, do të bëhet gjithçka për të siguruar që mundësitë për të pasur paqe – një paqe e drejtë që nuk është një paqe e diktuar, jo një kapitullim, që respekton integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës si një vend i pushtuar – që një paqe e tillë eksplorohet gjithmonë”, shtoi kancelari.
Scholz kishte sugjeruar më parë mbajtjen e një konference tjetër paqeje me pjesëmarrjen ruse në një intervistë të gjatë së fundmi me transmetuesin publik ZDF.
Këto komente u pritën me kritika të ashpra nga disa politikanë të tjerë gjermanë, veçanërisht nga opozita e qendrës së djathtë, CDU, që e akuzoi Scholzin se po tërhiqej nga mbështetja e tij për Ukrainën dhe se po përpiqej t’i bënte presion Kievit për bisedime.