Sejdini: Do të doja që edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të zhvillohet me rregull

Mos i humb

Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, ka mbajtur një takim me gazetarët në lidhje me zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën dhe zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat e Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës.

Kryetari i Gjykatës Administrative, Sejdini, gjatë takimit tha se dëshiron që edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të zhvillohet me rregull, siç u shpreh ai, ashtu siç ishte edhe rrethi i parë.

“Fillimisht do të doja që edhe rrethi i dytë të kalojë në rregull ashtu siç ishte dje. Nëse në rrethin e dytë ka ankesa, në thelb për këtë edhe e kemi organizuar takimin që qasja të jetë më e lehtë. Ne zakonisht menjëherë sa na arrijnë ankesat, në ueb faqen zyrtare e publikojmë informatën se është parashtruar ankesë”, tha Sejdini, duke theksuar se nëse ka ankesa, opinioni do të njoftohet në kohë.

Ai gjithashtu theksoi se me takimin e sotëm është planifikuar që të përmirësohet komunikimi i Gjykatës Administrative me opinionin e gjerë, kuptohet, përmes gazetarëve.

Sejdini bëri të ditur se në muajin mars të këtij viti janë formuar pesë këshilla të cilët sipas përzgjedhjes së rastësishme vendosin për ankesat, nëse ka të tilla. Afati për sjelljen e vendim nga ana e Gjykatës Administrative është 48 orë nga momenti i parashtrimit të ankesës.

Në zgjedhjet e kaluara Gjykata Administrative pati pranuar 27 ankesa.

Sipas rezultateve paraprake të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, nga 99,59 për qind të fletëvotimeve të përpunuara, kandidatët Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova do të garojnë në rrethin e dytë zgjedhor që do të mbahet në 5 maj të këtij viti.

Pendarovski, kandidati i mbështetur nga koalicioni qeveritar i kryesuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), udhëheq ngushtë me 42,84 për qind (323.463) të votave ndaj Siljanovska-Davkova, kandidates së mbështetur nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, me 42,24 për qind (318.945) të votave.

Ndërkohë, Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, i cili u radhit i treti sipas rezultateve të deritanishme, nuk do të ketë të drejtë të garojë në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Reka fitoi 10,57 për qind (79.824) të votave.

Jehona e votuesve, sipas KSHZ-së, në rrethin e parë zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale ishte 41,97 për qind apo 721.595 qytetarë shfrytëzuan të drejtën nga gjithsej 1.808.131 votues të regjistruar në listën zgjedhore.

Njëkohësisht, përveç rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës kishin mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarët e komunave.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, pas mbylljes së vendvotimeve mbajti konferencë për media në të cilën theksoi se votimi ka kaluar qetë, pa shkelje serioze të rendit publik.

Spasovski falënderoi institucionet dhe qytetarët për “zgjedhjet e zbatuara me sukses”.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar pas dy javësh, më 5 maj.

Nga pavarësia e shtetit, këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit