Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitë historike në Shqipëri

Mos i humb

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në aeroportin e Rinasit.

Avioni i kreut të diplomacisë amerikane preku tokën shqiptare në orën 11:11.

Mirëseardhjen ia ka uruar homologu i tij shqiptar, ministri i Jashtëm Igli Hasani, i cili e priti në pistën e aeroportit.

Sekretari Blinken shoqërohet në këtë vizitë edhe nga ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Pas mbërritjes në aeroport, eskorta e Antony Blinken u nis drejt Tiranës.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri e Sekretarit Blinken. Forca të shumta të sigurisë janë të angazhuara për të garantuar sigurisë gjatë gjithë vizitës së tij 8-orarëshe në kryeqytetin shqiptar.

Bulevardi kryesor i kryeqytetit shqiptar që prej ditës së djeshme është zbukuruar në të dy anët e tij me flamujtë shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa në fasadën e Universitetit të Tiranës, godinës e cila ngrihet si pika fundore e këtij bulevardi është vendosur një foto gjigande e zoti Blinken, duke i uruar atij mirëseardhjen. I njëjti poster i përdorur sot që në mëngjes nga kryeministri Edi Rama në llogarinë e tij në Facebook.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, “Sekretari Blinken do të konfirmojë marrëdhëniet e afërta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit kur njoftoi zyrtarisht vizitën e tij në kryeqytetn shqiptar, duke vënë në dukje se Shqipëria cilësohet si “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”

Ndërsa dy ditë më parë Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”. Zonja Kima theksoi se “vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”.

 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasan ii ka uruar mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Në një postim në rrjetin social “X”, ministri Hasani shkruan se e ka mirëpritur me kënaqësi Sekretarin Blinken në vizitën e tij të parë në Shqipëri.

Më tej në postimin e tij, Hasnai shkruan se bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në do të forcohet, i ndërtuar në një themel të fortë mes dy vendeve.

Ministri Hasani e përmbyll postimin e tij duke i shprehur mirënjohjen Sekretarit Blinken për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për Shqipërinë.

“Mirë se erdhe Antony! Me kënaqësi kam mirëpritur Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar”, shkruan Hasani.

Ndalesa e parë në kryeqytet do të jetë në ambasadën amerikane në Shqipëri, ku do të ketë një takim me punonjësit e saj për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në axhendë parashikohet një takim me Presidentin Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.

Rreth orës 16:00 pritet të nisë takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe një konferencë e përbashkët për mediat e tyre në ambientet e kryeministrisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit