4.5 milionë euro drogë është sekuestruar në Itali, ndërsa janë vënë në pranga 11 persona, mes tyre edhe shqiptarë.
Policia e Torinos thotë se të përfshirët në këtë trafik droge janë italianë, shqiptarë dhe polakë.
Pas hetimeve në Ekuador, Slloveni, Shqipëri, Poloni, Gjermani dhe Zvicër janë kryer 30 kontrolle, ndërsa u sekuestrua mbi 80 kg kokainë dhe mbi 7 kg marihuanë.
Policia fillimisht arrestoi në flagrancë 8 persona, korrierët e drogës, të cilët udhëtonin me makina të modifikuara posaçërisht në Slloveni, ndërsa drogën e fshihnin në shtëpi me qira.
Destinacionet e kokainës ishin veriu i Italisë, Sllovenia, Holanda, Zvicera dhe |Gjermania.
Sipas hetimeve, dyshohet se koka e grupit kriminal ishte shqiptari E Gashi, i cili u vra në janar të këtij vitit, ndërsa po darkonte në një restorant në Ekuador.
34-vjeçari shqiptar u ekzekutua teksa ishte duke darkuar në një restorant në qytetin Guayaquil.
Teksa po hante darkë, dy persona me lule në duar shmangën kontrollet për certifikatë vaksinimi dhe iu afruan tavolinës ku ndodhej shqiptari.
Ata e qëlluan me mbi 20 plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Për pasojë, u plagos edhe 26-vjeçarja A Romero, e cila ndodhej në tavolinën ngjitur.


