Senatorët amerikanë projektligj të ri kundër qeverisë saudite

Mos i humb

Senatorët amerikanë Christopher Coons dhe Lindsey Graham kanë paraqitur një projektligj të ri që kërkon që qeveria e Arabisë Saudite të konsiderohet përgjegjëse për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Projektligji i prezentuar bashkërisht nga dy senatorët, njëri demokrat dhe tjetri republikan, është i ngjashëm me atë që kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e kaluar.

Në projektligj kërkohet nga Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare të identifikojë zyrtarët e përfshirë në vrasjen e Khashoggit, ndërsa i bëhet thirrje administratës së presidentit Donald Trump të zbatohet ndalesë për hyrjen e këtyre emrave në SHBA.

“Ky projektligj është një mesazh i ri që rikujton qeverinë saudite se vrasja e Khashoggit nuk do të ngelet pa u ndëshkuar. Nëse ke pasur rol në këtë vrasje, nuk mund të vish në SHBA. Ky është qëllimi i këtij projektligji”, tha senatori Graham në një deklaratë me shkrim.

Nga ana tjetër, senatori Coons ka theksuar se politika e jashtme e SHBA-së nuk do të hartohet vetëm në bazë të interesave ekonomike dhe të sigurisë.

“Vlerat tona, nëse nuk janë më të rëndësishme se interesat tona, janë të paktën të barabarta. Ne kemi një histori të gjatë me Arabinë Saudite, por presidenti dështoi të kërkojë llogari nga drejtuesit e lartë që ishin përgjegjës për vrasjen e Khashoggit. Ky projektligj tregon se SHBA nuk do të tolerojë shkeljet e të drejtave të njeriut”, është shprehur Coons.

Ndryshe, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) në raportet e tyre kanë hedhur përgjegjësinë mbi Arabinë Saudite për vrasje me paramendim të Jamal Khashoggit.

Në raporte thuhet se ekzistojnë prova të besueshme për hetimin e zyrtarëve të lartë sauditë, përfshirë edhe princin e kurorës Mohammed bin Salman.

Presidenti amerikan Donald Trump më herët ka vënë veto ndaj një projektligji që parashihte ndalimin e shitjes së armëve Arabisë Saudite.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit