Bashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, demokratja Jean Shaheen dhe republikani Thom Tillis shprehën dje (9 korrik) përkushtimin dypartiak ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe disktuan për mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Dy senatorët i shprehën qëndrimet e tyre në një njoftim për median, pas një takimi dypartiak në Kapitol me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Filip Ivanoviç të cilët ndodhen në Uashington për takimin e nivelit të lartë të NATO-s.
Senatorët vlerësuan kontributet e këtyre vendeve në NATO, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe rolin e tyre ndaj stabilitetit rajonal.
“Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha Senatorja Shaheen.
“Uniteti ynë i palëkundur është një shprehje e qartë e vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara për të mos frenuar përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ajo.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, dhe si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, në mënyrë të veçantë në kushtet kur Rusia vazhdon luftën e paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët tanë të NATO-s”, tha Senatori Tillis.
Në takim morën pjesë edhe senatorët republikanë Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts.
Si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s, Senatorët Shaheen dhe Tillis kanë drejtuar përpjekjet dypartiake në Senat në mbështetje të Aleancës transatlantike.
Ata kanë bërë thirrje për një rikonfirmim të angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s.
Këtë javë në Uashington po mbahet takimi i nivelit të lartë të aleancës, që shënon 75 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit për themelimin e saj, një përvjetor që vjen mes sfidave jetike për aleancën./VOA