Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve ka thënë se pretendimet e Serbisë, se shtetet po ia kthejnë shpinën Kosovës, janë të rreme. Në një postim në Twitter, Komiteti për Punët të Jashtme ka thënë se “pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të përhershme”.
Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se shteti i Liberisë ka tërhequr njohjen e Kosovës. Por, ky lajm u demantua nga Ministria për Punët të Jashtme e Kosovës dhe nga vetë shteti i Liberisë.
Edhe më herët, Beogradi zyrtar ka plasuar lajme se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen, siç ishte rasti i Guinea Bisaut dhe shtetit të Ganës. Por, në të dyja rastet Prishtina zyrtare i ka demantuar këto lajme. Kosova ka akredituar ambasadorin e vet në Guinea Bisau, ndërkaq shteti i Ganës ka akredituar ambasadorin e tij në Prishtinë./Top Channel/