Shërbimi i kardiokirugjisë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, Manastirliu: Do të plotësojë nevojat e ndërhyrjeve në zemër

Mos i humb

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vizituar shërbimin e ri të kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar ‘Shefqet Ndroqi’, ku është hapur qendra e dytë e shërbimit të kardiokirurgjisë në spitalet publike, në të cilën, janë kryer ndërhyrjet e para të suksesshme në zemër, të një shkalle të lartë vështirësie.

“Shërbimi i kardiokirugjisë, si një shërbim i ri, tashmë ka filluar të futet në rrugën e mirë të ecurisë së një pune, e cila vetëm do të përmirësohet dhe do të zhvillohet që edhe të jemi me cilësinë në rregull, por edhe me numrat. Është e rëndësishme që Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” tashmë të ketë sa më shumë shërbime të reja, për t’u kthyer në një qendër reference edhe për sëmundjet e kardiologjisë. Në qendrën e re të kardiokirurgjisë janë kryer 38 ndërhyrjet e para kardiokirurgjikale. Sigurisht numrat janë duke u rritur edhe me gjithë pajisjen në vazhdim të materialeve mjekësore, do të rriten padyshim edhe interventet, por edhe kompleksiteti i ndërhyrjeve”, tha Manastirliu.

Qendrës së re të kardiokirurgjisë, e hapur në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, i është bashkuar edhe një kardiokirurg i ardhur nga Gjermania. Manastirliu ka vlerësuar ardhjen e dr. Albi Fagut nga një prej klinikave më të mira në Gjermani për t’iu bashkuar ekipit të spitalit “Shefqet Ndroqi”.
“Mua më gëzon fakti që vijnë mjekë nga jashtë. Ardhja e dr. Albi Fagu nga një prej klinikave më të mira në Gjermani, që kthehet për të dhënë kontributin e tij në Shqipëri, është me të vërtetë një mbështetje e madhe për ekipin e dr. Rezart Devesë, për gjithë ekipin tuaj të kardiokirurgjisë, por edhe të reanimacionit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitalet në Tiranë por edhe ato rajonale dhe bashkiake do të fuqizohen më mjekë të rinj, duke bërë me dije se mjekë specialistë që përfundojnë specializimin gjatë këtij muaji, do t’u bashkohen spitaleve nga veriu në jug.

“Përgjatë këtyre viteve nga fillimi i portalit “Mjekë për Shqipërinë” dhe deri më tani, janë më shumë se 700 mjekë që janë punësuar në sistemin shëndetësor publik dhe më shumë se 1200 mjekë, duke marrë parasysh edhe vitet e tjera të punësimit të kryera nëpërmjet proçedurave të tjera të Kodit të Punës. Por çfarë është e rëndësishme, është pikërisht fakti që 116 mjekë specializantë, të cilët po përfundojnë tashmë edhe ciklin e ardhshëm të specializimit që përfundon në këtë muaj dhe në muajin qershor fillojnë proçedurat dhe do të atashohen pranë spitaleve, qoftë rajonale por edhe universitare për të plotësuar nevojën me mjekë dhe për të rritur cilësinë e shërbimit”, tha Manastirliu.

Shërbimi i ri kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, është investimi i buxhetit të shtetit në vlerën 86 milionë për rikontruksionin e plotë të sallës së re të operacionit, njësisë së veçantë të reanimacionit si dhe të gjithë pajisjet mjekësore të teknologjisë së fundit. Hapja e këtij shërbimi, i dyti në rang vendi në spitalet publike, ka përmirësuar ndjeshëm trajtimin cilësor dhe në kohë të pacientëve.

Me hapjen e këtij shërbimi të ri të kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” kanë kryer ndërhyrje të vështira në zemër 38 qytetarë. ”. Ky sherbim i ri, ka të gjitha kapacitetet dhe standartet për të kryer rreth 400 intervente në vit, duke mbuluar, bashkë me QSUT, të gjithë gamën e nderhyrjeve kardiokirurgjikale. Kjo është qendra e dytë publike e kardiokirurgjisë, pas asaj në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” ka të konsoliduar tashmë edhe shërbimin e hemodinamikës, për kryerjen e procedurave mini-invazive, ku, që prej janarit të këtij viti, 405 qytetarë kanë përfituar falas paketën e hemodinamikës diagnostikuese dhe trajtuese.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit