Të paktën 1940 njerëz kanë humbur jetën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.2 rihter që goditi Haitin të shtunën, 14 gusht, thanë zyrtarët.
Gati 10.000 persona u plagosën dhe shumë janë ende të zhdukur nën rrënoja.
Puna e ekipeve të shpëtimit është penguar nga shirat e shumtë për shkak të stuhisë Tropikale që goditi Karaibet.
OKB thotë se gati 500.000 fëmijë tani kanë qasje të kufizuar ose aspak në strehim, ujë apo ushqim.
“Familje të panumërta në Haiti që kanë humbur gjithçka për shkak të tërmetit tani po jetojnë me këmbët e tyre në ujë për shkak të përmbytjeve,” tha Bruno Maes, përfaqësuesi i Fondit të Fëmijëve të OKB -së (Unicef) në vend.
Dhjetëra mijëra njerëz të mbetur të pastrehë nga tërmeti duhej të vendosnin nëse do ta përballonin stuhinë në qiell të hapur ose do të rrezikonin të ktheheshin në ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm.
Jug-perëndimi i Haitit duket se ka pësuar dëmin më të madh nga tërmeti, veçanërisht rreth qytetit të Les Cayes.
“Të martën në mbrëmje, 17 gusht u strehova pranë një kishe, por kur dëgjova të dridhej toka përsëri, vrapova të kthehesha këtu,” citohet të ketë thënë banorja e qytetit Magalie Cadet për agjencinë e lajmeve AFP.
Ajo tha se shumë pak struktura mbetën në këmbë saqë njerëzve iu desh të strehoheshin në rrugët e qytetit.
Spitalet janë mbingarkuar dhe kanë nevojë për furinizime, ndërsa mjekët luftojnë për të trajtuar të plagosurit, shkruan BBC.


