Në odën ekonomike të Maqedonisë sot u mbajt forumi i biznesit dhe takime afariste me një delegacion biznesi nga Republika Islamike e Iranit.
Forumi i organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Maqedoni dhe Dhomën e Tregtisë, Industrisë, Minierave dhe Bujqësisë të Iranit, synon të ringjallë lidhjet ekonomike dhe të intensifikojë bashkëpunimin e ndërsjelltë mes dy vendeve.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, mundësitë për bashkëpunim me Iranin janë në shumë sfera, për shkak se, siç tha ai, Irani është një nga vendet e pakta që ka bilanc të barazuar të shërbimeve.
“Ky është një vend me potencial të fuqishëm të zhvillimit dhe mundësive me strukturë të fortë të lëndëve të para që mundëson zhvillim të shpejtë. Jo rastësisht, ky është një objektiv i interesave të të gjitha vendeve evropiane”, tha Azeski.
Nga ana tjetër, Zv/kryeministri për Çështje Ekonomike i Maqedonisë, Koço Angjushev, tha se për Maqedoninë është një sfidë e madhe të arrijë të rrisë bashkëpunimin në të dy drejtimet, sidomos kur të dyja palët kanë për të ofruar.
Kryetari i Odës iraniane, Golam Hossein Shafai, theksoi se ky forum është një mundësi për efektet pozitive për identifikimin e mundësive të biznesit për bashkëpunim dhe përmirësimin e nivelit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
“Nuk ka dyshim se vizita e delegacionit të lartë të Odës Ekonomike të Iranit tregon vendosmërinë e Iranit për të zhvilluar marrëdhëniet ekonomike me Maqedoninë. Irani, Republikën e Maqedonisë, si një shtet me rregulla tatimore dhe komerciale dhe me kushtet e duhura në fushën e tatimit dhe ligjit komercial, e sheh si portë për të hyrë në treg dhe disa vende evropiane”, theksoi Shafai.


