Shkup, shënohet Dita Botërore e Lirisë së Mediave

Mos i humb

Krijimi i mediave të lira dhe efektive është mënyra më e mirë për të luftuar kundër të keqes, sepse ky është mjeti më efektiv kundër autoritarizmit dhe tiranisë së pushtetit, tha kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani, me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.

“Tre maji është dita kur ne përkulemi përpara kolegëve tanë nga Evropa, Daphne Galicia dhe Jan Kucijak që u vranë për shkak të raportimit të krimit. Janë të rralla profesionet si të gazetarisë, ku çmimi për një punë të bërë mirë ndonjëherë paguhet me jetë”, ka thënë Selmani në debatin e zhvilluar në Qendrën Informative të BE-së.

Ai tha se “duhet të qëndrojmë në mbrojtjen e mediave të pavarura nëse duam të mbrohemi nga propaganda”, duke shtuar se “kjo ditë duhet të jetë një kujtesë për qeverinë për të respektuar angazhimin e saj për lirinë e shtypit”.

Lukas Holub, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në vend, ka thënë se liria e shprehjes dhe mediat e pavarura janë vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian, duke shtuar se në shoqërinë tonë mediat mundësojnë forma të palakmueshme të të menduarit të gjithanshëm, sepse siç tha, mediat kanë një detyrë të përgjegjshme në këtë drejtim.

Ministri për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë, Robert Popovski, në fjalimin e tij drejtuar audiencës, tha se pas një kohe të gjatë këtë ditë e shënojmë në një vend të lirë, demokratik dhe evropian.

“Të gjithë aktorët në shoqëri duhet të angazhohen për reformat e rrethanave në fushën e medias dhe rritjen e standardeve të respektimit të lirisë së fjalës dhe të shprehjes. Qeveria do të jetë gjithmonë një partner dhe do të bëjë çdo gjë që është brenda kuadrit të saj në mbështetjen e këtyre proceseve, por kurrë duke mos ndërhyrë në pavarësinë e gazetarëve dhe mediave”, theksoi Popovski.

Ministri kujtoi se raportet e organizatave ndërkombëtare, ku vlerësohet përmirësimi i situatës së medias si “Reporterët pa Kufi” dhe Freedom House, ku Maqedonia është përmendur si shembull në Ballkan.

Ngjarja për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit është organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në kuadër të projektit “Rrjeti i Gazetarëve për Lirinë e Shtypit në Maqedoni”, e mbështetur nga Ministria e Komunikimit, Llogaridhënies dhe Transparencës, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit