Shqipëri, konferencë rajonale mbi trafikimin e qenieve njerëzore

Mos i humb

Konferenca rajonale me temë “Së bashku, duke luftuar trafikimin e qenieve njerëzore”, e organizuar në Tiranë kishte në fokus diskutimet mbi metodat e reja të ndërgjegjësimit dhe identifikimit të rasteve të reja për këtë fenomen.

Të pranishëm në konferencë ishin ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ambasadorë të akredituar në Tiranë dhe përfaqësues nga Ministritë e Brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, ministri Lleshaj tha se kjo konferencë synon të japë një mesazh të madh për nevojën për të adresuar këtë fenomen.

“Ky fenomen është i prekshëm dhe konsiderohet ende si diçka teorike dhe jo reale për shoqërinë tonë. Trafikimi i personave sot është trajta moderne e skllavërisë dhe në thelb prek lirinë, demokracinë dhe vlerat humane dhe adresimi i këtij fenomeni kërkon vëmendje të madhe shoqërore”, tha Lleshaj.

Sipas tij, Shqipëria po merr masa për të sensibilizuar shoqërinë, rininë dhe institucionet për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme.

“Shqipëria ka bërë progres në këtë fushë edhe nga raportet ndërkombëtare, por jemi të ndërgjegjshëm që ky progres nuk shënon finalizimin e përpjekjeve tona. Shqipëria është e fokusuar në rivitalizimin e kapaciteteve dhe të strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal, kryesisht fokusi ka qenë tek fëmijët dhe gratë”, theksoi Lleshaj.

Lleshaj duke folur për ngritjen e komiteteve rajonale antitrafik tha: “Tashmë ato ekzistojnë në të gjithë Shqipërinë dhe drejtohen nga prefektët e qarqeve dhe kanë objektiv identifikim fillestar të viktimave të mundshme të trafikimit. Një hap tjetër i cili do të ketë impakt të rëndësishëm është reforma në drejtësi, e cila do të impaktojë jo vetëm këtë fenomen, por dhe gjithë shoqërinë shqiptare.”

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj tha se përpos takimeve puna në terren nuk duhet ndalur.

“Është e rëndësishme të flasim dhe të bëjmë një bilanc për të treguar se ku jemi në raport me fenomenin. Vlerësoj faktin që jemi bashkë me partnerët ndërkombëtarë në luftën ndaj një fenomeni që nuk është vetëm shqiptar, por është një fenomen që prek mbarë botën, është një fenomen që ka lidhje me formën moderne të skllavërisë që është trafikimi i qenieve njerëzore”, tha Manastirliu.

Sipas saj, përpjekjet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare janë për të adresuar shkaqet që çojnë në këto fenomene.

“Forcimi i sistemit arsimor është arma e vetme kundër të gjithë fenomeneve negative që prekin shoqëritë tona. Duke filluar nga arsimimi, duhet vijuar me fuqizimin e të gjithë atyre që konsiderohen grupe vunerabël, por mbi të gjitha të grave dhe vajzave në aspektit të fuqizimit ekonomik të tyre që gratë mos e gjejnë veten të vetme”, shtoi Manastirliu.

Duke folur për punën e bërë lidhur me aspektet trajtimit të këtij fenomeni, Manastirliu tha se edhe pse Shqipëria ka bërë progres lidhur me uljen e numrit të grave dhe vajzave të trafikuara, fenomeni është ende prezent.

Pjesëmarrës në panelet e diskutimit të konferencës organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë ishin edhe koordinatorët kombëtarë antitrafik nga vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues të institucioneve që kanë në fokus luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit