Shqipëria shënon 60-vjetorin e anëtarësimit në UNESCO

Mos i humb

Nën kujdesin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, u zhvillua në Tiranë konferenca me temë “Shqipëria 60 vjet në UNESCO”.

Në këtë konferencë ku ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, zyrtarë të lartë të UNESCO-s si dhe akademikë, u diskutua për përvojat e Shqipërisë në UNESCO dhe rolin e kësaj organizate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se ndryshimet rrënjësore politike në vend dhe ndërveprimi me UNESCO-n e vendosi në qendër nevojën për mbështetjen për integrimin e vendit në botë dhe ndryshimin e imazhit.

“Në harkun kohor të tre dekadave Shqipëria është bërë palë e të gjitha konventave kryesore të UNESCO-s, ka marrë pjesë aktive mbi diskutime madhore të axhendës së organizatës dhe ja ka dalë të përfshijë në regjistrat e ndryshëm të UNESCO-s një numër pasurish që nxjerrin në pah vlerat universal dhe të padiskutueshme të trashëgimisë tonë kulturore, shoqërore e natyrore si Butrinti, Gjirokastra, etj”, deklaroi Bushati.

Gjatë fjalës së tij, ministri Bushati duke folur për anëtarësimin e rajonit të Ohrit në UNESCO tha: “Një tjetër dosje e rëndësishme, ajo e rajonit të Ohrit është aktualisht në shqyrtim dhe ne kemi besim që vitin e ardhshëm do të bëhet një margaritar në gjerdanin e trashëgimisë botërore. Në epokën e sotme të angazhimit të fuqishëm si në planin kombëtar ashtu dhe në atë global për të luftuar ekstremizmin, radikalizmin, dhunën ekstreme dhe terrorizmin, modeli shqiptar i kohezionit social dhe përpjekjet tona për të forcuar në shkollën e mendimit dhe analizën kritike të botës dhe fenomeneve janë një kontribut konkret në këtë drejtim, në pajtim të plotë dhe të koordinuar edhe me UNESCO-n”.

Sipas Bushatit, Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë praninë e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë në UNESCO, sipas tij, si një investim për qytetarët e Kosovës, por dhe për forcimin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Bashkëpunimi efektiv rajonal e më gjerë në fushën e arsimit, kulturës, shkencës e komunikimit nuk mund të arrihet pa pjesëmarrje dhe kontribut gjithëpërfshirës. Ne do të vijojmë të jemi në linjën e parë të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, përmes nxitjes evidentimit dhe konsolidimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe mbi nevojën për të investuar më shumë për rininë”, theksoi Bushati.

Ndërsa ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, në fjalën e saj u shpreh se Butrinti dëshmon se “ishim dhe jemi banorë të një vendi që ka gjurmë të qytetërimeve të hershme”.

“Jemi pjesëmarrës në ndërtimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit evropian. Pas Butrintit në vitin 2005 do të ishte radha e qendrës historike të Gjirokastrës për t’u bërë pjesë e trashëgimisë botërore zgjeruar më vonë me qendrën historike të Beratit në vitin 2008. Dy qendra të regjistruara jo vetëm si shembuj të rrallë të një arkitekture karakteristike, por edhe si dëshmi bashkëjetese fetare të përkatësive të ndryshme, dëshmi edhe një herës se paqja që meritojmë dhe që duam ndërtohet mes njohjes, pranimit dhe pasurimit nga tjetri”, tha Kumbaro.

Shqipëria është anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) më 16 tetor 1958./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit