Ndryshimet klimatike janë një kërcënim i vërtetë për shtetet e vogla ishullore, pasi ato janë duke i përjetuar ato, tha një aktivist nga ishulli Palau.
“Ne jemi në linjën e parë të frontit dhe jemi shteti më i prekshëm që mund të ndikohet nga ndryshimet klimatike, ndërsa po e përjetojmë atë tani direkt”, tha Carlos Manuel, një aktivist i klimës nga Palau, në serinë e tretë të diskutimit në Webinar për Ardhmërinë e organizuar nga lëvizja “Fridays for Future”.
Manuel, i cili është me origjinë nga Filipinet dhe u transferua në Palau në një moshë të re, është një nga 16 fëmijët që kanë organizuar peticion kundër qeverive për mosveprim ndaj krizës klimatike.
Më 23 shtator 2019, peticionistët e rinj, duke përfshirë edhe aktivisten suedeze Greta Thunberg, paraqitën një kundërshtim të rëndësishëm në Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.
Duke folur mbi efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike për vendet e Paqësorit, Manuel tha se ndryshimet klimatike po vrasin shkëmbinjtë nënujorë dhe koralet në rajonin që prek drejtpërdrejt oqeanin, burimin kryesor të ushqimit dhe të ardhurave për njerëzit.
“Ndryshimet klimatike detyrojnë shumë familje të shpërngulen nga shtëpitë e tyre sepse ndikohen nga ngritja e nivelit të detit. Si kombe të vogla ishujsh, ne nuk kemi shumë për t’i ofruar botës, por gjithçka që kemi është ambienti dhe kultura jonë, sepse Palau varet shumë nga oqeani, kështu që pa të nuk do të ishim ne”, shtoi ai.
“Dyshja e keqe e ndryshimeve klimatike”
Ndërkaq, Jerwin Baure, shkencëtar detar nga Filipinet, shpjegoi se si acidifikimi dhe ngrohja e oqeanit ndikojnë në ishujt e Paqësorit.
Duke e përcaktuar acidifikimin e oqeanit si ulje të pH-së së oqeanit për shkak të rritjes së përqendrimit të dioksidit të karbonit (CO2) në ujë, ai tha: “Kjo është arsyeja pse konsiderohet si dyshja me e keqe e ndryshimit klimatik, pasiqë niveli në rritje i dioksidit të karbonit në atmosferë rrit edhe dioksidin e karbonit në dete”.
Ai vazhdoi të sqarojë se acidifikimi i oqeanit dhe ngrohja paraqesin kërcënime për ekosistemet e shkëmbinjëve nënujorë koralë, si dhe ekosistemet e tjera detare, dhe se degradimi i shkëmbinjëve nënujorë do t’i bënte edhe më të prekshme komunitetet bregdetare nga rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike.
“Për shembull, shkëmbinjtë solidë mund të bllokojnë valët e forta gjatë stuhive, megjithatë me shkëmbinj nënujorë të degraduar, komunitetet bregdetare nuk do të kenë të njëjtën mbrojtje”, tha ai.
Baure shtoi se degradimi i shkëmbinjëve nënujorë gjithashtu do të rrezikojë sigurinë ushqimore në rajon pasi shkëmbinjtë nënujorë sigurojnë strehim për shumë burime të rëndësishme ekonomike të peshkimit.
Nga ana tjetër, tha ai, natyra dhe oqeani gjithashtu luajnë një rol jetësor në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
“Oqeanet janë të afta të bllokojnë dioksidin e karbonit nga atmosfera, kjo ndodh përmes fotosintezës së bimëve detare siç janë algat e detit, diatomet mikroskopike, barnat apo shkurrat e detit”, tha ai, duke shtuar se oqeanet janë gjithashtu të afta të thithin nxehtësinë nga atmosfera.
Duke folur për zgjidhjen, ai u bëri thirrje njerëzve të nxisin udhëheqësit botërorë, veçanërisht ata që vijnë nga vendet e industrializuara, që të zvogëlojnë emetimet e karbonit dhe tha se njerëzit duhet të kërkojnë përgjegjësi nga kompanitë shumëkombëshe që veprojnë në vendet në zhvillim.
“Në fund të fundit, ne të gjithë duhet të përpiqemi të mbrojmë mjedisin tonë”, përfundoi ai.


