Shtyhet seanca në Apel për dosjen “Babale”, Visha: Po zvarritet qëllimisht

Mos i humb

Në Gjykatën e Apelit është shtyrë sërish seanca gjyqësore për dosjen “Babale”. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatit të Jetmir Olldashit, Indrit Sefa. Avokati Sefa kishte paraqitur një shkresë ku kërkonte shtyrjen e seancës pasi për arsye shëndetësore nuk mund të ishte i pranishëm.

Nga krahu tjetër, Ardian Visha, i cili mbron interesat e palës akuzuese, të Geron Xhafës tha se po zvarritet çështja. Ai kërkoi që për palën mbrojtëse të vendoset një avokat kryesisht. Visha argumentoi se në seancën e shkuar kishte munguar avokati i deputetit Ervin Salianji.

“Tregues nuk është vetëm koincidenca e sëmundjes së avokatëve, por edhe mungesa e të gjithë asamblit të deputetëve që gjithmonë vijnë në seancë. Nuk është rasti që kur sëmuret avokati mungon edhe i pandehuri. Duhet të caktohet avokati kryesisht”, tha Visha.

Togat e zeza pasi shqyrtuan kërkesën, vendosën që seanca e radhës të zhvillohet më 22 maj ora 10:00.

Gazetari Jetmir Olldashi dhe deputeti Ervin Salianji janë duke u përballur në Apel me akuzën e “Kallëzimit të rremë” kryer në bashkëpunim për çështjen “Babalja”. Rasti në fjalë lidhet me vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron (Agron) Xhafaj. Ky i fundit ka kallëzuar për mashtrim Olldashin dhe Salianjin, lidhur me një audiopërgjim të publikuar prej tyre.

Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi. Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audiopërgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit