Shtyhet shqyrtimi i rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviçit

Mos i humb

Në mungesë të aktakuzës dhe provave të përkthyera në gjuhën serbe dhe me kërkesë të të akuzuarve për t’i pasur ato, të hënën në Prokurorinë Speciale është shtyrë për 11 shkurt gjykimi për përfshirjen e gjashtë të akuzuarve në vrasjen e kryetarit të Nismës Qytetare (SDP), Oliver Ivanoviç.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, tha se “nuk kemi kushte për shqyrtimin e akuzave, ndërsa shqyrtimi shtyhet deri më datën 11 shkurt në ora 10:00, tek Departamenti i Krimeve të Rënda, dhe do t’i dorëzohen provat në serbisht deri më 30 janar”.

Për këtë gjë, prokurori Blerim Isufaj ka thënë se materialet janë duke u përkthyer, ndërsa kur të përfundojnë do të jenë në dispozicion.

Musa Damati, avokati i të akuzuarës për këtë rast, Silvana Arsoviç, tha se vrasja e Ivanoviçit është ndër vrasjet më misterioze që ka ndodhur në Kosovë që nga pasulfta dhe në raport me klienten e tij mungojnë elementet konstituive të cilat do ta krijonin figurën e veprës penale.

“Po ashtu në këtë rast penal në raport me klienten time përveç kësaj, mungon edhe lidhja kauzale midis figurës së veprës penale dhe formës së bashkëpunimit kriminal, të ofrimit të ndihmës në kryerjen e veprës penale të veprës së rëndë”, tha Damati.

Tutje ai shpjegoi se sot “dështuan kushtet ligjore për mbajtjen e seancës fillestare dhe pas mbajtjes së seancës fillestare dhe pas krijimit të kushteve ligjore për një gjë të tillë të gjitha kundërshtimet ndaj kësaj aktakuze do t’i paraqes mbrojtja brenda afatit optimal kohor”.

Avokati i Marko Roshiçit, Mahmut Halimi, tha se sot ka pasur një ndryshim në përshkrimet faktike të veprave penale, ndërsa nuk ka arritur ta lexojë arsyetimin, “mirëpo bëhet fjalë për materien e njëjtë”.

“Sa i përket klientit tim Marko Roshiç, situata mbetet e pandryshuar me përjashtim të një zgjerimi të përshkrimit faktik të aktakuzës sa i përket krimit të organizuar, elementi cilësues të cilën e jep ajo vepër. Kështu që, për momentin për këto ndryshime të cilat kanë ndodhë, e që janë dorëzuar para pak çastesh, për to shumë pak mund të flasim. Mirëpo, sa pamë nuk ka ndonjë ndryshim esencial”, tha ai.

Për aq sa ka zgjatur kjo seancë, ka qenë e mbyllur për media.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në fillim të muajit dhjetor ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave, për rastin e Oliver Ivanoviçit. Aktakuza është ngritur për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Politikani Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018 para selisë së partisë së tij e cila gjendet në veri të Mitrovicës. Ai ishte kryetar i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit