
Presidenti sirian Bashar al-Assad dhe grupi terrorist i mbështetur nga Irani kanë kryer rreth 100 sulme artilerike në zonat e populluara në rajonin e qytetit Idlib, i cili u shpallë si një nga zonat e deeskalimit.
Forcat e regjimit granatuan lagje dhe vijat e fronit të opozitës në zonat e demilitarizuara në kuadër të marrëveshjes së Soçit, të cilat janë brenda kufijve të “zonës së deeskalimit”.
“Regjimi i Asadit kreu rreth 100 sulme artilerike gjatë natës”, konfirmoi për AA, shefi i Mbrojtjes civile në Idlib, Mustafa Haxh Jusuf.
Forcat e Asadit mbrëmë gjithashtu kryen rreth 25 sulme artilerike dhe me raketa në Khan Shaikhun, pranë Idlibit, në të cilat u vranë të paktën 8 civilë dhe u plagosën 9 të tjerë.
Që nga fillimi i vitit, forcat e Asadit kanë kryer një sërë sulmesh në zonën e deeskalimit, ku në këtë periudhë u vranë të paktën 53 civilë dhe rreth 220 të tjerë u plagosën.
Idlibi është enklava më e madhe nën kontrollin e opozitës në Siri. Me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë në Soçi në shtator të vitit të kaluar, u arrit marrëveshja e armëpushimit në Idlib dhe krijimi i një zone të sigurtë për civilët. Në përputhje me marrëveshjen, forcat opozitare tërhoqën armët e rënda nga rajoni në tetor ndërsa forcat besnike të regjimit të Asadit kryen një sërë sulmesh artilerike dhe ajrore në atë rajon.
Në raportin e saj të fundit, Rrjeti i të Drejtave të Njeriut në Siri (SNHR) deklaroi se të paktën 45 civilë u vranë në Idlib në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, përfshirë 22 fëmijë.


