Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga është komanduar në detyrën e përkohshme të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Lajmi u dha sot nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili përgëzoi drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku për punën e deritanishme.
“Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit”, tha Hoxha.
Ministri u shpreh se në bazë të ligjit të ri të sapomiratuar të Policisë së Shtetit ka nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij.
Hoxha i ftoi të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm.
“Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature”, tha ministri Hoxha.
Drejtues i Lartë Sokol Bizhga mban detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që prej muajit dhjetor 2022. Bizhga ka lindur në vitin 1962, në Gjirokastër, dhe aktualisht banon në Tiranë. Në vitin 1990 ka marrë titullin “Oficer”, pas përfundimit të Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.