Kina është përgatitur të përballet me një nga stuhitë më të fuqishme të këtij viti. Supertajfuni “Yagi” i është drejtuar brigjeve të Kinës jugore pasi goditi Filipinet në fillim të javës.
Stuhia është fuqizuar dhe ka erëra me shpejtësi deri në 240 km/h. Trenat, varkat dhe fluturimet në ishullin Hainan që pritet të goditet janë pezulluar.
Meteorologët thonë tajfuni mund të shkaktojë dëme katastrofike edhe në provincën fqinje Guangdong.
Një tajfun i përmasave të tilla është i barabartë me një uragan të kategorisë 5.
Sipas autoriteteve kineze, tajfuni “Yagi” që do të godasë ishullin Hainan është më i forti në 10 vitet e fundit.
Meteorologët kanë paralajmëruar për shkatërrime në masë si pasojë e erërave të forta dhe reshjet e shiut.
Pas Kinës, tajfuni pritet t’i drejtohet Vietnamit mbrëmjen e të shtunës, por fuqia e tij do të jetë më e dobët.