Specialja vazhdon punën, priten ftesat e radhës në muajin maj

Mos i humb

Njëri nga udhëheqësit e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Mendim Daka, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale, i cili më 13 maj të këtij viti pritet të intervistohet në Hagë.

Daka është personi i fundit që ka marrë ftesë nga Specialja, por do të ketë edhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së që do të ftohen për intervistim nga Specialja.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati për lajmi.net tha se kjo është ftesa e fundit që ka ardhur nga Specialja dhe nuk ka të tjera.

Më tutje, Gucati gjithashtu ka bërë me dije se kanë informacione se gjatë muajit maj do të arrijnë në Kosovë edhe ftesa të tjera për ish-ushtarët e UÇK-së.

“Kemi informacione, nuk e di sa është e sigurt, por kemi informacione se gjatë muajit maj mund të vinë ftesa të tjera”, tha Gucati.

Gjykata Speciale prej kur ka filluar punën ka intervistuar një numër të madh të ish-pjesëtarëve të UÇK-së e madje edhe figura të profilit të lartë.

Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa – Remi, Sylejman Selimi u intervistuan gjatë nga kjo gjykatë në cilësinë e dëshmitarëve.

Organizata e Veteranëve të Luftës javë më parë për lajmi.net kishte komentuar ftesat e Speciales duke thënë se është mirë që të gjithë po iu përgjigjen ftesave, por se kjo gjykatë është e njëanshme dhe e padrejtë.

OVL e UÇK-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë e protestave në rast të ngritjes së padrejtë të aktakuzave ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit