Spiropali: Nisim përgatitjet për Konferencën e tretë Ndërqeveritare me BE-në

Mos i humb

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se Shqipëria po nis përgatitjet për Konferencën e tretë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Republikës Çeke në procesin e integrimit europian.

Në një deklaratë për mediat me kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë, Markéta Pekarová Adamová, Spiropali vlerësoi thellimin e dialogut politik të nivelit të lartë si dhe zgjerimin e bashkëpunimin në shumë dimensione midis dy vendeve.

“Jam veçanërisht e inkurajuar nga bashkëpunimi në rritje midis parlamenteve tona përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe shkëmbimeve mes ligjvënësve. Ky partneritet energjik është jo vetëm dëshmi e vlerave tona të përbashkëta por një themel për ndërtimin e lidhjeve dypalëshe edhe më të forta në vitet në vijim”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit shprehu po ashtu mirënjohjen për mbështetjen që Republika Çeke i ka dhënë procesi të integrimit europian të Shqipërisë.

“Shqipëria i është thellësisht mirënjohëse Republikës Çeke për mbështetjen e palëkundur, entuziaste dhe parimore ndaj rrugëtimit tonë të integrimit europian. Vlerësoj fort rikonfirmimin e kësaj mbështetjeje, ndërsa ne nisim një fazë të re, përgatitjen për Konferencën e tretë Ndërqeveritare dhe avancimin e negociatave mbi kapituj të rëndësishëm”, tha ajo.

Spiropali theksoi se Shqipëria po hedh bazat për integrim më të gjerë brenda kuadrit të BE-së.

“Aspirata jonë për tu anëtarësuar në BE brenda vitit 2030 është sa ambicioze, ashtu edhe e realizueshme. Është një qëllim që reflekton aspiratat e popullit tonë dhe vizionin strategjik të vendit tonë. E dimë që ky rrugëtim do të kërkojë vendosmëri dhe përpjekje, por me mbështetjen e miqve si Republika Çeke besojmë se do t’ja dalim”, shtoi Spiropali.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit