Studentët kërkojnë heqjen e vizave, Labinot Tahiri do të heq dorë edhe nga pasaporta shqiptare

Mos i humb

Studentë të Universitetit të Prishtinës, përmes marshimit në sheshet e Prishtinës kanë kërkuar liberalizimin e vizave. Të udhëhequr nga Parlamenti Studentor, ata janë nisur nga hapësirat e Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar pastaj në sheshin “Zahir Pajaziti” e për tu ndalur para hyrjes së Qeverisë së Kosovës.

Arben Elshani, Kryetar i Parlamentit Studentor, tha se me kërkesën për liberalizim të vizave nuk duan të largohen nga Kosova, por të shkojnë në vendet evropiane për të marrë përvoja e për të kontribuuar prapë në vendin e tyre.

“Kemi dalë dhe po marshojmë për të kërkuar të drejtën tonë të pamohueshme, lëvizjen e lirë. Duam ta ndjejmë vetën tonë të lirë. Do të kontribuojmë për të mirën e vendit tonë”.

Studenti tjetër i cili mori pjesë në marsh, Bekim Ibishi, kritikoi politikanët për mospërkrahjen e kësaj protestë.

“Ju kemi bërë thirrje të gjithëve por askush nuk na është përgjigjur. Këtu shihet se sa përkrahet rinia”, tha ai.

I vetmi deputet që i është bashkuar këtij marshi, ishte Labinot Tahiri nga Aleanca Kosova e Re (AKR).

Tahiri tha se muaj më parë ka votuar demarkacionin pas presionit nga ndërkombëtarët e të tjerët, me mendimin se qytetarëve do të iu hiqen vizat.

Ai iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që të izolohen në Kosovë, në mënyrë që, siç tha ai, zyrtarët e Bashkimit Evropian, të vijnë në Kosovë për të negociuar.

“Kur nga unë si deputet është kërkuar ta votoj demarkacionin, këtë e kam bërë me kërkesë edhe të Apostolovës. Kam votuar sidomos pas gjithë atyre presioneve. U bëj thirrje deputetëve që të izolohemi të gjithë, në mënyrë  që ata të vijnë të negociojnë këtu, e jo ne të shkojmë andej”, tha Tahiri.

Duke falënderuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili kishte pajisur Tahirin me pasaportë shqiptare, ai bëri të ditur se të hënën do të dorëzojë edhe këtë pasaportë në Tiranë.

“I bëjë thirrje Ilir Metës që t`i pajisë qytetarët me pasaporta të Shqipërisë. Falënderoj që më ka dhënë pasaportën e Shqipërisë, por unë të hënën do ta dorëzojë edhe pasaportën e Shqipërisë në Tiranë”, u shpreh Tahiri.

Studentët kanë protestuar edhe më parë për të kërkuar liberalizimin e vizave.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit