Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se lidhur me sulmin e mbrëmshëm terroristë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali i ujit të Ibër-Lepencit, ka të arrestuar të cilët do të përballen me fuqinë e ligji.
Kurti këto komente i bëri pas vizitës në vendin ku ndodhi sulmi terroristë. Ai ishte i shoqëruar me drejtues të Policisë, AKI-së dhe ministrin e brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Jemi këtu që ta shohim vendin e ngjarjes, dëmin e jashtëzakonshëm që na është shkaktuar mbrëmë nga ky sulm terroristë e kriminal, që ka dëmtuar infrastrukturën kritike, meqenëse e ka dëmtuar rëndë edhe prodhimin e energjisë elektrike, edhe furnizimin me ujë”, tha Kurti.
“Vetëm duke iu falënderuar punës vetmohuese të këtyre policëve, punëtorëve, inxhinierëve, ekspertëve, kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin, ndonëse jemi diku tek çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Iber Lepenc, i cili e bën edhe ftohjen e termocentraleve në Obiliq, edhe furnizimin me ujë të shumë komunave, përfshirë edhe Prishtinës. Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminel e terroristë do të përballën me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, tha Kurti.