Tabaku: Po përdoren ambasadorët për fushatë të PS-së

Mos i humb

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku kërkoi sot sqarime nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, mbi përfshirjen, siç e cilësoi ajo të diplomatëve shqiptarë në aktivitete politike.

Gjatë mbledhjes së komisionit ku u raportua për projektbuxhetin e vitit 2025, Tabaku u shpreh se në aktivitete politike të organizuara nga qeveria me përfaqësues politik, ku axhenda nuk ka qenë qeveritare, por ka qenë politike.

Tabaku u shpreh se në të paktën 48 raste diplomatët kanë shoqëruar jo vetëm kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm por edhe kryetarë të pushtetit lokal në aktivitete ku për 25 minuta për një aktivitet të tillë është sulmuar opozita.

“Të gjitha kanë qenë aktivitete politike. Blendi Klosi ka qenë prezent si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. Ka një cak që nuk duhet kaluar. Përfaqësuesit e shërbimit diplomatik nuk mund të marrin pjesë në aktivitete partiake, ku marrin pjesë të gjithë zyrtarët më të lartë të PS-së, sepse kalon cakun në momentin kur fillon e flitet 25 minuta për kundërshtarin. Ka 48 raste, edhe me kryetarët e bashkive me aktivitete të tilla”, tha Tabaku.

Nga ana e tij, Hasani u shpreh se “nuk jemi në fushatë elektorale, pasi fushata hapet shumë më vonë”.

“Për asnjë moment nuk ka pasur takim partiak apo politik. Kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësues të diasporës në qytete të rëndësishme nëpër botë”, tha Hasani.

Sipas tij, “nuk është përdorur asnjë logo, flamur apo batutë, por është folur për Shqipërinë, shqiptarët dhe luftën kundër korrupsionit dhe të ardhmen e të mirat që ne po përpiqemi t’i japi qytetarëve”.

“Për asnjë moment nuk është folur për pjesë të programeve partiake. Diplomatët e Republikës së Shqipërisë kanë detyrimin të shoqërojnë kryeministrin e vendit të tyre në aktivitete ku merr pjesë. Ata nuk kanë marrë pjesë aktive, nuk kanë bërë thirrje, nuk kanë mbajtur slogane e flamuj partiakë, por kanë shoqëruar kryeministrin dhe këtë detyrim e kanë sipas ceremonialit të shtetit edhe për liderin e opozitës”, tha Hasani, ndërsa kërkoi të respektohet puna e diplomatëve dhe të mos keqinterpretohet në asnjë moment.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit