Ka përfunduar raundi i tetë i bisedimeve për paqe në Siri që u mbajt në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ndërsa delegacionet turke, ruse dhe iraniane ranë dakord që Kongresi i Dialogut Kombëtar Sirian në qytetin Soçi të Rusisë të mbahet më 29-30 janar.
Gjatë takimit, i cili filloi të enjten, delegacionet gjithashtu ranë dakord për lirimin e të burgosurve dhe pastrimin e minave në vendet historike, njoftuan burimet diplomatike.
Në një deklaratë të përbashkët nga Turqia, Rusia dhe Irani, palët rikonfirmuan “angazhimin e tyre të fortë dhe të vazhdueshëm ndaj sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”.
Ata gjithashtu përshëndetën “përparimin në zbatimin e marrëveshjes për krijimin e zonave të deeskalimit” në vend.
Sipas deklaratës, Kongresi sirian do të mbahet në fund të janarit “me pjesëmarrjen e të gjitha segmenteve të shoqërisë siriane”.
Megjithatë, më herët gjatë ditës, Turqia vuri veto ndaj përfshirjes së organizatës terroriste PKK/PYD-së apo ndonjë grupi të lidhur me të në takimin e planifikuar në Soçi.
Autoritetet turke kanë thënë në mënyrë të përsëritur se do të refuzojnë praninë e ndonjë grupi terrorist në bisedimet për Sirinë.
Gjatë bisedimeve të Astanës, delegacioni turk u kryesua nga nënsekretari i Ministrisë së Jashtme, Sedat Onal, ndërsa Aleksander Lavrentiev, i dërguari i posaçëm i presidentit rus për Sirinë, udhëhoqi delegacionin e rus dhe zëvendësministri i Jashtëm Hosein Xhaberi Ansari udhëhoqi atë të Iranit.
Përfaqësuesit e regjimit sirian, grupeve të armatosura të opozitës si dhe delegacionet nga OKB-ja, Jordania dhe SHBA-të po ashtu morën pjesë në bisedime.
Delegacioni i grupeve të armatosura të opozitës tha se i kanë dorëzuar delegacionit rus fakte për aktet e paligjshme të regjimit sirian si dhe ato të organizatave terroriste PKK/PYD.
Takimi tjetër ndërkombëtar i nivelit të lartë mbi Sirinë në Astana do të mbahet në gjysmën e dytë të shkurtit të vitit 2018./Rtv islam/


