Prefekti i qarkut të Vlorës Vangjel Tavo u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Tavo u mor në pyetje për rreth një orë, ndërsa në dalje të SPAK, Prefekti i Vlorës u ndal në një prononcim për mediet, ku sqaroi se ishte thirrur nga prokurorët e SPAK si person në dijeni, lidhur me një kallëzim të bërë nga vetë ai në vitin 2021.
“U thirra si person në dijeni. Bëhet fjalë për një kallëzim që kam bërë unë në vitin 2021. Kaq është. Nuk mund të them më shumë për çështje hetimi”, tha Tavo.
Vangjel Tavo u emërua prefekt i Vlorës në mars të këtij viti duke zëvendësuar në detyrë Flamur Mamajn. Më herët, Tavo ka qenë deputet i Gjirokastrës, si dhe ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë në periudhën 2012-2013.


