Të riun e zë lisi në Prishtinë, një tjetër e godet rrufeja/ Dy të vdekur e dy të lënduar në Kosovë nga moti i keq

Mos i humb

Dy persona kanë vdekur, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar gjatë ditës së hënë në Kosovë, si pasojë e motit të keq.

Rrëzimi i një lisi në rrugën “Vaso Pasha” në Prishtinë i mori jetën një 30-vjeçari nga Podujeva, ndërsa la me lëndime serioze një 30-vjeçare.

“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrëzuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij incidenti, njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën”.

“Ndërsa, e lënduara tjetër femër po ashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

E lënduara është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.

“Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetë, por ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar por dyshohet për frakturë”, tha mjeku kujdestar, Ejup Govori.

Moti i keq u bë shkaktar edhe për një vdekje tjetër në Kosovë.
Në fshatin Zatriq në Rahovec dy persona u goditën nga rrufeja të hënën, njëri nga ta vdiq, ndërsa tjetri është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se viktima 34-vjeçar dhe i lënduari 28-vjeçar, janë shtetas turq, dhe në momentin kur janë goditur nga rrufeja kanë qenë duke punuar.

“Me datë 06.06.2022 në ora 15:55, përmes thirrjes emergjente 112, Stacioni Policor-Rahovec është njoftuar se në fsh. Zatriq-Rahovec si pasojë e kushteve atmosferike dy persona (shtetas turq), derisa kishin qenë duke punuar, dyshohet të jenë goditur nga rrufeja. Patrullat policore së bashku me autoambulancë kanë dal në vendin e ngjarjes”.

“Njëri nga viktimat (lindur në vitin 1988) është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, atje mjeku kujdestar ka konstatuar vdekja e tij. Ndërsa viktima tjetër (lindur në vitin 1994) fillimisht është dërguar në QKMF në Malishevë dhe pastaj në QKUK-Prishtinë”, deklaroi Elezaj.

Sipas mjekut kujdestar në QKUK, gjendja e të lënduarit është jashtë rrezikut për jetë.
“Në vend-ngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit, sipas të cilit është iniciuar rasti Hetim i Vdekjes”, shtoi Elezaj.

Dita e hënë është karakterizuar me stuhi dhe rrebeshe të shiut, në pjesë të ndryshme të vendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit