Tërmet me magnitudë 5.1 në qytetin turk Adiyaman

Mos i humb

 

Njoftohet se një tërmet me magnitudë 5.1 ka goditur rajonin Samsat në qytetin Adıyaman të Turqisë.

Sipas Kryesisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), bëhet e ditur se tërmeti është shënuar në orën 3.34 të mëngjesit në një thellësi prej 7 kilometrash.

Prefekti i rajonit Samsat, Sedat Sezik, për AA tha se tërmeti krahas qytetit Adıyaman është ndjerë edhe në qytetet e afërta si Şanlıurfa, Gaziantep dhe Diyarbakır, ku dhe ekipet e AFAD-it kanë nisur punimet e kërkimeve dhe kontrolleve në rajon.

Ndërkohë theksohet se si pasojë e tërmetit janë plagosur 13 persona, shumica e të cilëve të moshuar dhe me probleme shëndetësore, pasi tronditjet e tërmetit i kanë gjetur në gjumë dhe nën panik janë përpjekur të lëshojnë ndërtesat.

Zyrtarët gjithashtu bëjnë të ditur se në tërmet nuk ka patur humbje jetësh, por as edhe situata serioze shëndetësore.

“Ka dëmtime në shtëpinë ku jetojnë prindërit e mi të moshës 90 vjeçare. Unë jetoj në qendër të Adıyaman-it, kur dëgjova tërmetin as unë nuk e di se si kam ardhur. Nëna dhe babai kishin mbetur të bllokuar, por janë shpëtuar”, tha Ali Yılmaz për AA, një prej banorëve të qytetit.

Kryeministri turk, Binali Yıldırım, duke folur në një konferencë për media para vizitës së tij në Madrid të Spanjës, ka konfirmuar se deri më tani nuk është raportuar vdekje në rajonin që u godit nga tërmeti me magnitudë 5.1.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit