Një tërmet me magnitudë 7.2 të shkallës Rihter goditi Tajvanin mëngjesin e së mërkurës, më i forti që ka goditur ishullin në të paktën 25 vjet, duke vrarë shtatë persona, duke plagosur mbi 700 të tjerë. Qeveria e Tajvanit tha se personat që humbën jetën u regjistruan në qarkun lindor malor në Hualien, afër vendit ku ishte epiqendra. Në kryeqytetin Taipei, videot tregojnë ndërtesat duke u lëkundur dhe objektet fluturojnë nga raftet.
Videot tregon shpëtimtarët duke përdorur shkallë për të ndihmuar njerëzit të dilnin nga dritaret, ndërsa në epiqendrën e tërmetit në Hualien u raportua për rrëshqitje masive dheu të shkaktuara nga lëkundjet. Autoritetet kanë bërë të ditur se pas goditjes së tërmetit fillestar u regjistruan mbi 100 pasgoditje.
Tërmeti është ndier rreth orës 08:00 të mëngjesit sipas orës lokale, ndërsa njerëzit po shkonin në punë dhe në shkollë dhe kishte një thellësi prej 15.5 km, sipas Administratës Qendrore të Motit të Tajvanit. Autoritetet kineze dhanë një deklaratë menjëherë pas tërmetit se do të ofrojnë ndihmë. Presidenti i Tajvanit Tsai Ing-wen deklaroi se ushtria do të vendoset në të gjitha zonat e prekura dhe u ka kërkuar agjencive qendrore të mbajnë kontakte me qeveritë lokale.
Tsai Ing-wen u bëri thirrje banorëve që t’i kushtojnë vëmendje përditësimeve nga zyrtarët. Autoritetet janë vendosur në dispozicion për të evakuuar banorët të cilët janë bllokuar gjithashtu në Hualien. Autostrada Suhua, autostrada në veri-lindje të ishullit që lidh Su’ao Township dhe Hualien ka pësuar dëme të konsiderueshme dhe është mbyllur pas tërmetit.
Më shumë se 87,000 familje në Tajvan kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa dy termocentralet bërthamore të vendit nuk u prekën nga tërmeti. Operatori hekurudhor i Tajvanit nuk raportoi dëme në trenat e tij, por udhëtimet janë pezulluar. Ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur ishullin që nga viti 1999, kur një tërmet me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter vrau afër 2.400 persona, plagosi mbi 100 mijë njerëz dhe shkatërroi 50.000 ndërtesa.