Thaçi: Autoritetet e Beogradit duhet të përgjigjen për 1650 persona të zhdukur

Mos i humb

 

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 27 prillit, Ditës së të Pagjeturve të Kosovës ka bërë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në sheshin “Ibrahim Rugova” të Prishtinës.

Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se me këtë rast Thaçi ka thënë se 27 prilli gjithmonë i bashkon për të kujtuar çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Që disa ditë Kosova po shënon Javën e Personave të Pagjetur. Nderojmë dhimbjen e familjeve të tyre, të familjarëve pranë të cilëve do të jemi gjithmonë. Edhe 19 vjet pas luftës, e dimë që çdo ditë shumë familje jetojnë me dhimbje shpirtërore. Humbja e më të dashurve për shumë familje është edhe më e madhe për faktin që ende nuk dihet ku gjenden trupat e tyre. Familjet e personave të zhdukur meritojnë të dinë të vërtetën”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu ka thënë se institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë maksimumin që të ndriçohet ky aspekt i ndjeshëm etik dhe njerëzor.

“Zbardhja e të kaluarës tragjike dhe dalja para drejtësisë e autorëve të krimit forcon ndërgjegjen njerëzore dhe rritë paqen në vend dhe rajon. Autorët e krimeve, masakrave, dëbimit, zhdukjes dhe formave tjera të vrasjeve sistematike të qytetarëve tanë duhet të vihen para drejtësisë. Autoritetet e Beogradit duhet të përgjigjen dhe të ofrojnë të dhëna edhe për 1650 personat që vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur gjatë luftës. Andaj, edhe sot, nga këtu, ne thërrasim ndërgjegjen e autoriteteve serbe dhe presim nga faktorët ndërkombëtarë të ushtrojnë trysni te këto autoritete për të ofruar të dhëna për qytetarët tanë të zhdukur gjatë luftës”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai tha se çështja e personave të zhdukur duhet të shtrohet në nivelet më të larta, edhe në Bruksel, duke e vlerësuar këtë “si një temë që nuk pret më”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit