Thaçi pret në takim ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim ministren e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Në një njoftim nga Zyra e Presidentit thuhet se Presidenti Thaçi e ka falënderuar ministren Xhaçka për mbështetjen që Qeveria e Shqipërisë po i jep Kosovës kudo në botë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunim shumë të mirë dhe ne po mësojmë nga përvoja 105 vjeçare e shtetit shqiptar”, ka thënë presidenti Thaçi, duke vlerësuar lart kontributin e Shqipërisë në sigurinë rajonale si pjesë e NATO-s.

Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se “anëtarësimi i shteteve të rajonit në aleancën veriatlantike, përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës, do të zgjidhte problemet e sigurisë me të cilat përballet rajoni ynë. E mbështesim transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura”.

Ajo ka bërë të ditur se së shpejti Shqipëria do të ketë edhe atasheun e saj rezident në Kosovë.

Presidenti Thaçi dhe ministrja Xhaçka kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e Ministrisë së Mbrojtjes me Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilin janë pajtuar se mund të thellohet edhe më shumë.

Thaçi po ashtu ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë model i profesionalizmit dhe i shumëetnicitetit, si dhe ka shprehur bindjen se transformimi i saj në ushtri do të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, bashkësinë ndërkombëtare, si dhe me të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ministrja Xhaçka gjatë ditës takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit