TIKA me 1500 projekte të rëndësishme të realizuara në Shqipëri dhe Maqedoni!

Mos i humb

Ditë më parë është raportuar në media rreth projekteve të realizuara nga TIKA nëpër disa vende të Ballkanit. Sipas asaj që është shkruar, në 20 vjetët e fundit, vetëm në Shqipëri TIKA ka realizuar 447 projekte në fusha të ndryshme si arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Kështu, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e cila operon edhe në Shqipëri, nga viti 1996 e deri më sot ka realizuar 447 projekte në fusha të ndryshme, raporton AA.

Zyra e Koordinimit të TIKA-s për Shqipërinë, e cila u hap më 31 janar 1996 në përputhje me protokollin e bashkëpunimit të nënshkruar me Shqipërinë, prej vitit 2003 vazhdon me rritjen e numrit të projekteve dhe aktiviteteve të saj, ku deri më tani ajo ka zbatuar 44 projekte në sektorin e shëndetësisë, si restaurime spitalesh dhe qendrash shëndetësore, mbështetje me pajisje dhe formimin e laboratorëve për analiza mjekësore.

Në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve shoqërore në Shqipëri, TIKA ka realizuar 207 projekte në fushat e zhvillimit të infrastrukturës administrative dhe civile, mbështetjen e kongreseve dhe simpoziumeve, mbështetje të aktiviteteve të bashkëpunimit kulturor dhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile. Vetëm në vitin 2018, TIKA në Shqipëri ka 42 projekte të cilat kanë përfunduar ose janë në vazhdim për vitin 2018.

Përveç kësaj, sipas raporteve të siguruara në kjo organizatë turke që vepron në vendet e Ballaknit, ajo i ka siguruar personalit të Policisë së shtetit uniformat dhe pajisje të tjera, i ka dhënë mbështetje për infrastrukturën teknike me qëllim për vazhdimin në cilësi të lartë dhe me produktive të aktiviteteve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dhe, së fundmi, ka afruar gatishmërinë për dhënien e shërbimeve në të njëjtën cilësi me përfaqësitë diplomatike të vendeve të zhvilluara.

TIKA gjithashtu ka zhvilluar shumë projekte edhe në fushën e arsimit, ka zbatuar 105 projekte arsimore kryesisht ndërtimi i ndërtesës së Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, rinovimin e shkollës së mesme “Mustafa Kemal Atatürk” në Vlorë dhe ka siguruar pajisje arsimore për shkollat, ka realizuar restaurimin e shumë objekteve të arsimit parashkollor dhe çerdheve në Shqipëri, ka siguruar që fëmijët të kenë mundësi arsimore në kushte të përshtatshme dhe të shëndetshme, si dhe ka realizuar ngritjen e “Dhomës së Perceptimeve” të shkollës speciale “Luigj Gurakuqi” në Tiranë.

Më pastaj, TIKA ka rinovuar duke e bërë të përshtatshme për të dhënë shërbim me standarde bashkëkohore dhe moderne bibliotekën e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ka rinovuar ndërtesën “Librat Akademikë” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka rikonstruktuar bibliotekën dhe sallën e konferencave të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, si dhe i ka dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë pajisje elektronike për t’u përdorur në dixhitalizimin e arkivave kryesisht të atyre osmane.

Ndihmat ushqimore për të prekurit nga përmbytjet në qytetin Shkodër në veriperëndim të Shqipërisë, janë edhe një aktivitet më shumë i TIKA në Shqipëri. Ajo ka shpërnda pako me ndihma për familjet në nevojë në muajin e Ramazanit në të gjithë Shqipërinë.

Edhe në rrafshin embrojtjes së trashëgimisë historike nuk ka munguar kontributi i TIKA. Me synimin për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe për të ofruar kontribut për zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri, TIKA ka marrë përsipër restaurimin e shumë xhamive dhe objekteve të trashëgimisë historike e kulturore në vend.

Në vitin 2014 ka përfunduar restaurimin e Xhamisë Murad Bey në Krujë, të Xhamisë në kalanë e Prezës, Xhamisë Nazireshës në Elbasan, Xhamisë Iljaz Bej Mirahori në Korçë dhe Xhamisë së Plumbit në Berat. Ndërsa në vitin 2018 ajo ka nisur restaurimet e Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret në Berat dhe Teqesë Halveti dhe Xhamisë së Beqarëve në Berat dhe pas përfundimit të këtyre restaurimeve brenda 2 viteve do t‘ia dhurojë turizmit kulturor të Shqipërisë.

Në mesin e projekteve që vazhdojnë nga TIKA në Shqipëri janë edhe parku i lodrave në Liqenin Artificial në Tiranë, rinovimi dhe pajisja e ndërtesës konviktore të shkollës së mesme në Skrapar, si dhe rinovimi dhe pajisja e ndërtesës së konviktit numër 6 në Qytetin Studenti në Tiranë.

Nga ana tjetër, edhe në Maqedoni TIKA ka vepruar bujshëm. Në këtë shtet fqinjë të Kosovës, ajo ka mbi 900 projekte. Në Maqedoni ka kontribuuar në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët historike, duke përfunduar projekte të ndryshme në fusha si infrastruktura dhe shëndetësia që nga viti 2005 ka realizuar më shumë se 900 projekte të llojllojshme në fusha të ndryshme, siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, etj.

TIKA në Maqedoni ka bërë përpjekje për të siguruar që çdo fëmijë të arsimohet në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Deri më sot, ajo ka rinovuar 38 shkolla fillore, të mesme dhe universitete, prej të cilave 24 janë riparuar dhe 14 janë ndërtuar, që janë bërë shkolla të dalluara në rajonet ku gjenden, duke u shërbyer rreth 15 mijë nxënësve dhe studentëve.

Gjithashtu ajo ka kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe informatike të institucioneve për të rritur produktivitetin e tyre, duke lehtësuar qasjen në shërbimet publike, ndërsa po ashtu ka organizuar edhe programe trajnimi për rritjen e kapaciteteve të personelit të institucioneve publike.

Me qëllim të reduktimit të vështirësive të popullatës në qasjen në shërbimet shëndetësore, TIKA ka kryer rinovimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore dhe ka realizuar projekte mbështetëse duke ofruar pajisje mjekësore dhe mobilje spitalore. Kjo agjenci gjithashtu ka siguruar pajisje mjekësore moderne dhe ka bërë rinovimin e qendrave shëndetësore për të reduktuar vdekshmërinë e foshnjave në Maqedoni.

Kjo organizatë nga Turqia ka realizuar riparimin dhe furnizimin e repartit të higjienës dhe para sterilizimit në spitalin “Nënë Tereza” në Shkup.

Në kuadër të aktiviteteve në Maqedoni, TIKA gjithashtu zhvillon dhe zbaton projekte për rigjallërimin e ekonomisë dhe promovimin dhe diversifikimin e prodhimit.

Në bazë të hulumtimeve që ka bërë Kosova Post rreth aktivitetit të TIKA në vendet tona, është mësuar se në Maqedoni  ajo ka kryer Projektin për Zhvillimin Perimtarisë në Serrë në Maqedoninë Lindore, Projektin për Zhvillimin Bletarisë, Projektin për Përmirësimin e Cilësisë së Orizit dhe Prodhimit dhe Projektin për Zhvillimin e Pemëtarisë.

Në Maqedoni, TIKA gjithashtu ka realizuar aktivitete sociale dhe kulturore në bashkëpunim me organizatat joqeveritare që kontribuojnë në krijimin e një brezi paqësor në Ballkan dhe rujajtjen e vlerave kulturore.

Duke synuar kontributin në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe zhvillimit të turizmit kulturor të Maqedonisë, TIKA ka marrë përsipër restaurimin e shumë xhamive dhe trashëgimisë historike në këtë vend.

Në fshatin Koxhaxhik të Komunës së Qendër Zhupës, agjencia turke reallizoi Projektin e Shtëpisë Muze të Ali Riza Efendiut, babait të Mustafa Kemal Ataturkut, si dhe riparoi ndërtesën e Akademisë Ushtarake në Manastir, ku Ataturku, themeluesi i Turqisë moderne, u arsimua mes viteve 1896 dhe 1899.

TIKA pasuroi trashëgiminë kulturore duke përfunduar projektet e restaurimit të Xhamisë së Ishak Çelebiut në Manastir, Xhamisë Husein Shah në Shkup, Xhamisë Mustafa Pasha në Shkup dhe Xhamisë Mahmud Aga në Radanjë, ndërsa aktualisht janë duke vazhduar punimet për restaurimin e Xhamisë Sulltan Murad dhe Xhamisë Allaxha në Shkup. /Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit