Turqia dhe Greqia, destinacionet më të preferuara për turistët nga rajoni

Mos i humb

Sezoni turistik veror tashmë ka filluar, ndërkohë qytetarët kërkojnë paketa të favorshme turistike për t’i kaluar pushimet e tyre verore.

Destinacionet më të preferuara dhe të kërkuara në agjencitë turistike nga ana e banorëve të Ballkanit, ashtu si vitet e kaluar edhe këtë vit mbeten plazhet e Turqisë, Greqisë, por zbulohen edhe destinacione të tjera ekzotike që tërheqin vëmendjen e qytetarëve, thonë për Anadolu Agency (AA) përfaqësues të agjencive turistike dhe odave turistike.

Maqedonia e Veriut

Maja Dimitrovska, menaxhere e një agjencie turistike nga Shkupi, në një bisedë për AA thekson se në krahasim me vitet e kaluara, kërkesa për aranzhimet e udhëtimit ndikohet nga procesi i migracionit, respektivisht emigrimi i qytetarëve nga vendi, veçanërisht të rinjtë që punojnë në vendet e huaja në periudhën e verës.

“Kemi numrin më të madh të kërkesave, sepse kemi mjaft numër të madh të aranzhimeve. Nëse e krahasojmë me vitet e kaluara mund të them se në një farë mënyre përkojnë kërkesat, çmimet dhe ofertat”, tha Dimitrovska.

Rreth destinacioneve më të kërkuara turistike, Greqia dhe Turqia janë më të kërkuarat, por ka interes edhe në destinacione të tjera.

“Këtë verë interes më të madh ka për Greqinë, sepse ajo është më e afërt, Turqia sigurisht që ka qenë vazhdimisht në treg për çdo vit, megjithatë kemi edhe aranzhmane të reja, kjo është Hurghada në Egjipt, e cila për shkak të atraktivitetit të vetë aranzhmanit dhe për shkak të çmimeve që i ofrojmë ka interes të madh edhe për atë destinacion”, thotë Dimitrovska.

Ndër të tjera, ajo shton se krahasuar me vitet e kaluara, aranzhimet për Greqinë janë më të shtrenjta, ndërsa thotë se qytetarët kanë interes edhe për Kroacinë, por edhe për Italinë dhe Spanjën.

Sipas saj, shkalla mesatare e aranzhimeve për të cilat qytetarët janë të gatshëm të ndajnë fonde varion nga 200-250 euro për person.

Numri i turistëve në Maqedoninë e Veriut rritet, qytetarët turq janë më të shumtë

Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës i Maqedonisë së Veriut tregojnë se numri i turistëve në muajin prill 2019 ishte 85.017 dhe numri i netëve të qëndrimit 166.238. Sipas statistikave, numri i turistëve në muajin prill 2019, krahasuar me prillin e vitit 2018 u rrit me 2,9 për qind, ndërsa numri i netëve të qëndrimit u rrit me 1,3 për qind.

Dimitrovska tha se shtetasit turq janë turistët më të shumtë në vend, të cilët kryejnë turne të Ballkanit, duke kaluar nëpër Shqipëri, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe në vende të tjera në rajon.

Përveç turistëve nga Turqia, në Maqedoninë e Veriut, sipas Dimitorvskës, ka shumë turistë nga Singapori dhe Malajzia. Këta turistë më së shpeshti vizitojnë Shkupin dhe Ohrin, ndërsa turistët nga Suedia dhe Norvegjia dhe vendet e Evropës Perëndimore preferojnë zonat malore në vend.

Qytetet bregdetare në Shqipëri, destinacione të preferuara nga shqiptarët për pushime

Qytetarët e Shqipërisë vazhdojnë rezervimet për pushimet e sezonit veror, si brenda ashtu edhe në destinaticonet turistike jashtë vendit. Për pushimet brenda vendit, zonat dhe qytetet bregdetare, Durrësi, Vlora, Velipoja, Shëngjini dhe Saranda, vazhdojnë të mbeten destinacione të preferuara dhe zënë pjesën kryesore të kërkesës së qytetarëve për rezervime.

Çmimet brenda vendit ndryshojnë sipas kohës së qëndrimit dhe llojit të akomodimit për vendasit, duke variuar nga 100-500 euro për person për përudhën 1 javore.

Ndërsa sa i përket pushimeve jashtë vendit, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), Kliton Gërxhani, në një deklaratë për AA shprehet se për qytetarët e Shqipërisë për pushime vendet më të preferuara ashtu si edhe në vite e kaluara vazhdojnë të jenë Turqia dhe Greqia, ndërsa më pak Egjipti.

Çmimet e rezervimeve ndryshojnë në varësi të kohës së qëndrimit dhe llojit të zonës turistike, dhe në një javë fillojnë nga 200-1300 euro në Greqi, dhe nga 800-1500 euro për person në Turqi.

Turistët e huaj në Shqipëri 

Kryetari i ATOA-s, thekson se në turizmin e kulturës dhe natyrës tregu kryesor është ai i vendeve të Evropës Perëndimore. Sipas tij, në turizmin bregdetar kryesojnë pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe nga vendet e Evropës Lindore. “Kërkesa e shtuar ka krijuar problemin e nevojës për më shumë kapacitete sidomos në turizmin e plazhit në zonat e Durrësit dhe Sarandës kryesisht, por problem ngelet edhe Gjirokastra e Berati”, tregon Gërxhani.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave të Shqipërisë(INSTAT) gjatë vitit të kaluar në Shqipëri kanë hyrë gjithsej 5,926,803 vizitorë të huaj, me një rritje prej 15,8 krahasuar me vitin 2017. Ndërkohë numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri, përfshirë edhe ata për qëllime turistike, në pesëmujorin e parë të vitit 2019 ka shënuar rritje me 5,8 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Turizmit, vendet e Evropës zënë një volum prej rreth 92,4 për qind të të gjithë turistëve. Kryesisht turistët janë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Mali i Zi, Polonia, Gjermania dhe vende të tjera.

Ndërkohë, në vitet e fundit turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), apo Azia dhe veçanërisht Kina, kanë shënuar një interes rritës, duke ndikuar edhe në zhvillimin e nënsektorëve të tjerë të turizmit, sidomos turizmin historik dhe kulturor.

Kosova, trend pozitiv në rritjen e numrit të turistëve

Kosova është në trend pozitiv sa i përket rritjes së të interesuarve për ta vizituar atë. Turizmi në Kosovë është i karakterizuar nga trashëgimet arkeologjike nga kohët e Ilirëve, Dardanëve, Romakëve, Bizantinëve, Serbëve dhe Osmanëve, kuzhina tradicionale shqiptare dhe serbe, arkitektura, traditat, dhe bjeshkët e bukura.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ATK), numri i vizitorëve të huaj në Kosovë në vitin 2017 ka qenë 162.234, ndërsa në vitin 2018 është rritur për 18.82 për qind, në 192.761 vizitorë. Gjithashtu, janë rritur edhe netë-qëndrimet e vizitorëve të huaj për 17.53 për qind në raport me vitin 2017.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Elhami Ismaili përgjegjës për Komunikim me Publikun, thotë se në Kosovë ekzistojnë disa Tour Operatorë që ofrojnë dhe realizojnë vizita të organizuara brenda territorit gjatë gjithë vitit. Gjatë verës, siç thotë ai, vizitat janë kryesisht të përqendruara në aktivitetet në natyrë dhe kryesisht ecje në male; por një numër i madh i vizitorëve ndërkombëtarë gjatë verës vijnë në Kosovë sidomos në kohën e shfaqjes së festivaleve të filmit e të muzikës.

“Destinacionet që po vizitohen më së shumti në vitet e fundit janë Prishtina, pastaj vijon Peja dhe Prizreni. Ndërsa nëse shikojmë si lokacione jashtë zonave urbane, kemi Brezovicën, Rajoni Rugovës, Kompleksi ‘Adem Jashari’, Ujëvarat e Mirushës, Burimi dhe Shpella e Radavcit, Manastiri i Deçanit, Kalaja e Novobërdës etj.”, tregon Ismaili.

Sa i përket çmimeve për turizëm në Kosovë, kryetari i Shoqatës për Turizëm Alternativ në Kosovë, Baki Hoti, tha për AA se ato janë mesatare dhe konkurrente me rajonin, përpos tek pjesa e akomodimit, e cila me një përqindje të vogël është më e lartë se në vendet e rajonit.

Hoti thotë se Kosova dita ditës po bëhet një vend atraktiv për grupe të ndryshme vizitorësh, marrë parasysh edhe ndikimin e përfshirjes së saj në paketat turistike Ballkanike në disa kompani.

Ai përmend disa faktorë të rritjes së këtij interesimi. “Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e interesimit për ta vizituar Kosovën janë: Përfshirja e Kosovës në paketat Ballkanike nga disa agjenci turistike evropiane dhe botërore, thellimi i bashkëpunimit në mes shteteve, sidomos atyre ndërkufitare dhe promovimi i vazhdueshëm, sidomos pjesëmarrja në panaire të ndryshme ndërkombëtare”, thekson Hoti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit