
Në çështjen gjyqësore që po shqyrtohet në Arabinë Saudite për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi Gjykata vendosi për dënimin me vdekje të 5 të pandehurve dhe dënimin në total me 24 vite burg të 3 të pandehurve të tjerë.
Në lidhje me këtë çështje Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy lëshoi një deklaratë të shkruar.
“Vendimi i gjykatës përkatëse në Arabinë Saudite, shpallur sot [23 dhjetor] për vrasjen e z. Jamal Khashoggi është i pamjaftueshëm në raport me ato që pret Turqia dhe bashkësia ndërkombëtare për sqarimin e të gjitha rrethanave të kësaj vrasjeje dhe vendosjen e drejtësisë në vend”, thotë zëdhënësi Aksoy në komunikatën e tij të shkruar.
“Fakti që aspekte të rëndësishme kanë mbetur të errëta, siç janë: fati i trupit të Z. Khashoggi, nxitësit e kësaj vrasjeje dhe identifikimi i bashkëpunëtorëve lokalë [nëse ka], është një humbje themelore e parë në këndvështrimin e parimit të shpërndarjes së drejtësisë dhe llogaridhënies”,- vijon komunikata.
“Nuk është vetëm një përgjegjësi gjyqësore, por edhe një përgjegjësi e detyrim moral që kjo vrasje, e kryer në tokat tona [Turqi], të zbardhet dhe të gjithë ata që janë përgjegjës, përfshirë edhe nxitësit, të identifikohen dhe të dënohen”, përfundon komunikata në fjalë.
Khashoggi ishte vrarë barbarisht më 2 tetor 2018 në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, ku ai kishte shkuar për të kryer disa veprime konsullore për martesë.


